Serie A, Lazio në krye, Inter-Juve në “paqe”

04/10/2010 09:00

Supersfida e javës së 6-të në Serinë A mes Interit dhe Juventusit, ka përfunduar në barazim 0-0, duke mos nxjerrë asnjë fitues.

Një ndeshje luftuar nga minuta e parë deri tek e fundit me shumë raste të shpërdoruara nga të dyja skuadrat. Gjithsesi rrjetat mbetën të paprekura duke ndarë nga një pikë që pak vlejnë për secilën nga skuadrat.

Interi mbetet në vendin e dytë në kuotën e 11 pikëve aq sa edhe Napoli e Milani, ndërkohë edhe Roma nuk mundi dot të përsërisë suksesin e javës së kaluar ndaj Interit. Skuadra verdhekuqe është ndalur në ndeshjen e javës në San Paolo të Napolit duke u mundur me rezultatin 2-0. Të dy golat për napoletanët u shënuan në pjesën e dytë të takimit.

Marek Hamshik kaloi Napolin në avantazh, gol ky që erdhi si pasojë e përpjekjeve të kësaj skuadre për minuta të tëra. Roma mund të kishte barazuar me Vuçiniç por gjuajtja e tij përfundoi në trupin e portierit të Napolit. Në minutën e 83, Napoli vulosi fitoren falë autogolit të brazilianit të Romës, Huan.

Me këtë rezultat Napoli kalon në kuotën e 11 pikëve, 2 më pak se Lazio, ndërsa Roma është në kuotën e 5 pikëve në fund të tabelës së klasifikimit. Ndërkohë skuadra tjetër romane shënon një tjetër fitore në kampionatin italian të futbollit. Skuadra e drejtuar nga Edi Reja këtë radhë mundi Breshan me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga Mauri në fundin e pjesës së parë.

Fiorentina zhgënjen sërish. Skuadra e drejtuar nga Sinisha Mihajloviç është mundur në “Artemio Franchi” nga Palermo me rezultatin 1-2. Për skuadrën siciliane autorë të golave ishin Iliçiç dhe Pastore, ndërkohë që për skuadrën violë shkurtoi diferencën Alberto Gilardino. Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Genoa fitoi me Barin 2-1, Kievo barazoi me Kaljarin 0-0, ndërsa Bolonja-Sampdoria përfundoi 1-1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA