La Liga, Real Madrid nuk përmbahet

04/10/2010 09:10

Reali i Madridit i ka befasuar të gjithë duke shkatërruar 6-1 Deportivon në këtë javë të gjashtë të Primera Division.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu”, skuadra e Mourinho-s mundohet të largojë kritikat e një skuadre shterpë në sulm, duke tronditur 3 herë brenda pjesës së parë me Cristiano Ronaldo-n në fillim, i cili i lë më pas radhën Oezil dhe Di Maria-s.

Me rifillimin e lojës nuk e ulin aspak ritmin madrilenët të cilët shumë shpejt shënojnë dhe dy gola të tjerë me Higuain në minutën e 53-të dhe më pas një aksion i Marcelo-s me Cristiano Ronaldo-n, mbyllet me autogolin e Kastros. Deportivo shënon golin e nderit me Rodrigez në minutën e 78-të ndërkohë që Cristiano Ronaldo kompleton dopietën në fundin e takimit duke mbyllur shifrat në 6-1.

Kjo fitore e ngjit në vendin e tretë Realin e Madridit me një pikë më shumë se rivalët e tyre të mëdhenj të Barcës. Surprizë ka rezultuar kjo javë e gjashtë për Barcelonën e cila është ndaluar në barazim 1-1 nga Majorka në Kamp Nou. Kampionët e Spanjës e fillojnë mjaft mirë ndeshjen duke krijuar shumë raste për shënim, deri sa arrijnë të zhbllokojnë rezultatin me yllin e tyre argjentinas Lionel Messi.

Edhe pas këtij goli ka qenë skuadra “Blaugrana” që ushtronte presion dhe sulmonte me të gjitha mënyrat por pa arritur të konkretizojë aksionet e saj. Në një goditje brenda pjesës së parë Majorca barazon shifrat me Nsue, i cili kërcen më shumë se të tjerët duke befasuar portiern Valdes. Edhe në pjesën e dytë ishin djemtë e Guardiolës që sulmonin por Mesi i vetëm nuk mjaftoi për t’i dhënë 3 pikët në këtë javë. Me këtë barazim Barcelona mbetet në kuotën e 14 pikëve në vendin e katërt pas Realit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA