Sterkaj, PD heziton të mbajë qëndrim

02/10/2010 08:45

Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar ditën e djeshme në lidhje me largimin e deputetit të Shkodrës, Paulin Sterkaj, nga grupi parlamentar i PD-së.

Burimet bëjnë të ditur se ky reagim në lidhje me largimin e Sterkajt do të vijë ditën e hënë nga ana e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të PD-së.

Po kështu, burimet brenda demokratëve theksojnë se largimi i Sterkajt kishte ardhur i papritur për ta, pasi në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së, deputeti i Shkodrës nuk kishte shfaqur ndonjë kundërshti të madhe me grupin apo paralajmërim për këtë largim.

Dy ditë më parë, deputeti i Shkodrës i zgjedhur nën siglën e PD-së dha dorëheqjen nga ky grup, për të kaluar në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, nga i cili ishte përjashtuar tre vite më parë.

Sipas Sterkajt, vendimi për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka ardhur pasi ai nuk arriti që brenda këtij grupi të përmbushte detyrën e tij si deputet i Malësisë të Madhe dhe të ndihmonte njerëzit e zonës së tij elektorale.

Po kështu, Sterkaj ka theksuar se qeveria aktuale është e kapur nga korrupsioni dhe për këtë arsye ai nuk mund të ishte më pjesë e grupit më të madh parlamentar të mazhorancës aktuale.

Madje, në këtë kuadër ai theksoi se edhe drejtues së PD-së në Malësinë e Madhe kërkonin lekë në këmbim të vendeve të punës në arsim etj.

Sipas Sterkajt, ai do të mund të kryente funksionin e tij si deputet më mirë po të ishte në opozitë me këtë pushtet dhe do të kishte mundësi të përfaqësonte më denjësisht elektoratin e tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta