Mediu: Pronat u vodhën me ligj

02/10/2010 16:05

Në konferencën e pestë të Partisë Republikane, dega Tiranë, kreu i saj, Fatmir Mediu kujtoi se abstenoi në parlament për rrëzimin e dekretit të presidentit për ligjin e kthimit të pronave, për të treguar se Partia Republikane ende aspiron mbrojtjen e interesave të pronarëve.

“Ata kanë humbur besimin dhe shikojnë me dyshim çdo iniciativë të shtetit, sepse ky shtet iu grabiti atyre pronën me ligj, me vendime komisionesh shtetërore apo gjykatash, i përbuzi ata në mënyrë klasore dhe i la në pafuqishmërinë për t’u ndeshur me manipulatorët. Prandaj unë duke menduar se përfaqësoj gjithë bindjen e republikanëve nuk e votova këtë ligj, i cili për mendimin tim vetëm justifikonte një hap të qeverisë për shmangien e padrejtësive”, është shprehur Mediu.

“Ne duhet të ndërtojmë në parlament një komunikim permanent – tha Mediu – ndaj të gjithë partnerëve të koalicionit si me LSI-në ashtu dhe me partinë që mbron çështjen çame”.

Ndërkohë që ka bërë edhe njëherë të qartë qendrimin e PR-së ndaj pronës, Mediu ka kërkuar unfikimin e të gjitha strukturave që merren me pronat në një agjenci të vetme.

“E para, çdo pronë shtetërore apo private duhet t’u kthehet pronarëve të tyre të ligjshëm, e dyta t’u kthehen shtëpitë pronarëve të ligjshëm të cilat ju janë rrëmbyer për 40 vjet, por edhe për 20 vjet të tjera, dhe në shumicën e tyre jetojnë ata që i persekutuan dhe i përbuzën. Së treti privatizimi i sektorit shtetëror. Së katërti përcaktimi përfundimisht i faturës financiare për kompensimin. E pesta dhe ndoshta më e rëndësishmja, unifikimi i strukturave që merren me pronat në një agjenci të vetme”, theksoi Mediu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA