Cani: Ekonomia po lëngon

02/10/2010 15:30

Në deklaratën e fundit këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë deklaroi se ekonomia po vuan kërkesën e ulët në tregun e brendshëm. Për ish guvernatorin Shkëlqim Cani rënia e kërkesës dëshmon se për publikun kriza nuk ka kaluar.

“Rënia e kërkesës së brendshme do të thotë që konsumatorët, qoftë individët, qoftë bizneset, pakësojnë shpenzimet. Kur bie kërkesa edhe prodhimi nuk është në kushtet optimale. Që do të thotë se ekonomia vazhdon të lëngojë”, është shprehur Cani.

Sipas të dhënave zyrtare të institutit të statistikave në gjysmën e parë të vitit shitjet me pakicë në tregun e brendshëm ranë me 2.5 përqind. Ish kreu i bankës thotë se, veç mungesës së tregut të brendshëm ekonomia po përfiton pak edhe nga eksportet.

“Eksportet janë të paqëndrueshme, mineralet dhe fasoni nuk sjellin më valutë në vend”, deklaroi Cani.

Në fund ish guvernatori bën një analizë edhe për atë që po ndodh në tregun financiar.

“Fillimisht ishin bankat që nuk jepnin. Tani janë bizneset dhe individët që nuk marrin kredi. Edhe ky vit po mbyllet kështu. Pa kredi, pa investime nuk ka rritje ekonomike”, theksoi ai.

Vitin e kaluar rritja ekonomike në Shqipëri sipas INSTAT u përgjysmua në 3.3 përqind, ndërkohë që për këtë vit FMN, deri tani, parashikon një rritje edhe më të ulët deri në 2.6 përqind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA