Berisha: Çdo komunë me rrugë të re

02/10/2010 15:45

Thuajse një orë larg Tiranës, mbrapa malit të Dajtit, nëpërmjet një rruge të re mund të shkohet në komunën e Shëngjergjit, që megjithëse një vend piktoresk, deri tani ishte e arritshme me shumë vështirësi, për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Rrugën e re, që po ndërtohet me 560 milionë lekë dhe që përgjysmon distancën, e inauguroi kryeministri Sali Berisha, i cili premtoi se deri në pranverën e ardhshme në qarkun e Tiranës do të kalohet me rrugë të reja nga malësia e Shëngjergjit deri në bregdetin e Spillesë.

Kryeministri Berisha tha se investimet në infrastrukturë janë prioriteti kryesor i qeverisë së tij, pasi i konsideron rrugët e reja si hap madhor në luftën kundër varfërisë. Deri në fund të këtij mandati në axhendën e kryeministrit Berisha është gjithashtu edhe rritja e rrogave dhe pensioneve.

“Në fund të këtij mandati nuk do të ketë komunë në Shqipëri, qendra e së cilës të mos jetë e lidhur me rrugë kombëtare, deri në fund të këtij mandati, qytetarët shqiptarë do të kenë rritjen më të madhe të rrogave se të gjithë qytetarët e tjerë, edhe pensionistët do të kenë rritjen më të madhe”, u shpreh Berisha.

Në takimin me banorët e Shëngjergjit, kryeministri Berisha sulmoi qendrimin e opozitës ndaj zhvillimeve të vendit dhe i bëri thirrje të heqë dorë nga politika e krizës, e cila sipas tij, vetëm e ndan Partinë Socialiste nga qyetarët shqiptarë.

“Krahas kësaj përpjekje të ndershme të këtij zhvillimi, të cilin shqiptarët e vlerësojnë shumë, është edhe propaganda e zisë, e trillimit dhe mashtrimit. Këta zotërinj, që gjobisin biznesmenët me 20 përqind, shpifin për çdo gjë. Krerët e PS-së u bien sirenave të krizës, por kriza ekziston vetëm në mendjet e tyre, vetëm në shpirtin e tyre, sepse ata besojnë se vetëm me krizë mund të vijnë në pushtet. E keqja juaj, e mira e tyre”, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar liberalizimit të vizave, kryeministri Berisha tha se shumë shpejt, jo vetëm që do të merret vendimi përfundimtar për hejqen e vizave, por për herë të parë, kryeministri u shpreh i sigurtë se ky vendim do të hyjë në fuqi brenda këtij viti.

“Ne jemi të vendosur të ecim në proçesin e integrimit, ndaj ju garantoj se me reformat që kemi ndërmarrë, me luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, gjatë këtij viti ju do të lëvizni të lirë në mbarë Europën. Vizat do të hiqen!”, tha kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA