Rama, mision diplomatik në PE

01/10/2010 08:35

Partia Socialiste do të shfrytëzojë edhe një herë dritaret e komunikimit ndërkombëtar për të përcjellë shqetësimet e saj politike.

Pas disa muajsh ballafaqimi të fortë dhe gati konfliktual me shumicën në pushtet, kreu i PS-së, Edi Rama, pritet të udhëtojë drejt selisë së Parlamentit Europian ku do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të së majtës evropiane, mes të cilëve edhe drejtuesit kryesorë në PE-së, Gianni Pitella dhe Hanes Svoboda.

Edhe pse pa një datë konkrete, turi i Ramës pritet të zhvillohet nga fundi i muajit tetor, brenda të cilit opozita do të konsumojë një valë të re protestash qytetare.

Kriza politike e deritanishme, sipas gjasave, do të mbetet ende në axhendën e diskutimeve, po të mbahet parasysh edhe situata e ditëve të fundit, ku një marrëveshje e kërkuar për Gjykatën Administrative nuk u arrit, për shkak të kërkesave socialiste për hetimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, kontaktet me europarlamentarët e majtë kanë rëndësi edhe për arsye se ato mbështeten në argumente qenësore, të cilat burojnë nga rezoluta e 8 gushtit e Parlamentit Europian.

Realiteti aktual shqiptar është dëshmi se kërkesat e këtij dokumenti nuk janë plotësuar në asnjë drejtim, qoftë për sa i përket hetimit parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit, qoftë në lidhje me reformat e ndryshme që ka nevojë vendi.

Në këtë kuptim është e logjikshme që lobimi socialist në PE të ketë një kontekst të ri, duke marrë në konsideratë se në muajin nëntor, Shqipëria pret vlerësimin për statusin e vendit kandidat.

Roli i së majtës në këtë drejtim është me shumë rëndësi, për arsye të peshës së saj, por edhe faktit se kriza shqiptare ka nisur të bëjë të prekshme kostot e saj, që nuk janë vetëm politike.

Top Channel