PD, drejt largimit edhe dy deputetë

01/10/2010 08:25

Rrudhet numerikisht mazhoranca e drejtuar nga Partia Demokratike. Dje ka zyrtarizuar largimin nga radhët e Partisë Demokratike, një nga deputetët e saj, përkatësisht Paulin Sterkaj.

Burime brenda mazhorancës bënë të ditur se shumë shpejt do të ketë një zhvillim të ri që mund të shkëpusë edhe dy deputetë të tjerë të shumicës qeverisëse.

Këtë e bëri të ditur për “Shqip” një nga deputetët e mazhorancës, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme.

Ndërkaq, ikja e Sterkajt, përveç humbjes numerike, që e rrudh grupin nga ana sasiore, ka dhe një përmasë tjetër cilësore, pasi deputeti i larguar përfaqëson një qark që është bastion i PD-së, që është Qarku Shkodrës.

Që prej ditës së djeshme, grup i PD-së ka aktualisht 67 deputetë dhe mazhoranca që qeveris vendin ka 74 deputetë.

Burimet nga mazhoranca bëjnë të ditur se largimi i Sterkajt do të pasohet nga largime të tjera. Sipas këtyre burimeve do të jenë dy përfaqësuesit e shumicës të cilët do të largohen nga radhët e saj, por emrat nuk bëhen ende publikë.

Top Channel