Pas korrupsionit, tani edhe mafia

01/10/2010 15:10

Në bashkëbisedimin me gazetarët zoti Rama kërkoi dorëheqjen e ministres së Integrimit Majlinda Bregu, duke rimarrë për llogari të tij akuzat e Gazetës Shqiptare. (UPDATE)

Dy ditë pas arrestimit në Vlorë të njërit prej eksponentëve kryesorë të mafias puljeze, famëkeqes Sacra Corona Unita, Gazeta Shqiptare ka publikuar fakte për një biznes të përbashkët lojrash fati mes motrës së ministres dhe të arrestuarit Anxhelo Prudentino.

“Mpleksja e mafies pulieze me të afërm të ministrave, pastrim parash dhe investim i parave të zeza dhe investimi në lojrat e fatit. Është përfshirë sërish ministrja e Integrimit dhe çfarë duhet për t’u larguar? Ministrja e Integrimit duhet të largohet. Është e mbingarkuar me skandale, nga aferat e të afërmve të saj”, tha Rama.

Tjetra akuzë për korrupsion, shpërndarja e kasave fiskale, ku vetëm dy kompani sipas Ministrisë së Financave kanë plotësuar kushtet teknike për të furnizuar bizneset me kasa. Por në parlament, ministri Bode, duke u mbrojtur ndaj akuzave për korrupsion, përmendi faktin se njëra prej kompanive është pronë e dajës së deputetit socialist Blendi Klosi. Komenti i zotit Rama ishte ky:

“Vepra e korrupsionit me kasat fiskale, për të grabitur të gjithë sipërmarrësit. Duke e neveritur atë që ka thënë ministri i Financave për zotin Klosi, por edhe në rast se është e vërtetë kjo vërteton se ne jemi për transparencë”, tha Rama.

Ai tha se një grup ekspertësh ligjorë të Partisë Socialiste është i ngarkuar t’i kthejë akuza për korrupsion, në dosje të mirëfillta në dispozicion të prokurorisë.

Argumenti i fundit, Paulin Sterkaj, i përjashtuar nga Partia Socialiste pas votës pro kandidaturës së Bamir Topit si president. Një vit pas rizgjedhjes së tij si deputet nën siglën e PD-së, zoti Sterkaj deklaroi daljen e tij në opozitë. Në prag të zgjedhjeve lokale, zoti Rama i hapi dritën jeshile rikthimit të tij në grupin socialist.

“Dua ta përshëndes Paulin Sterkajn. Shpresoj të ketë edhe të tjerë. Zoti Sterkaj është i mirëpritur nëse do. Nuk ka përjashtime të përjetshme dhe gabime të pashlyeshme në kohë”, theksoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA