Ndaj Bosnjës, me mbrojtje të blinduar

01/10/2010 13:00

Pak orë përpara se sa të përfundonte në spital, për shkak të një hemorragjie cerebrale, e cila ka vënë tashmë në diskutim të ardhmen e tij në krye të Kombëtares kuqezi, pikërisht atëherë kur dukej se gjithçka po shkonte në një rrjedhë normale, trajneri kroat Josip Kuzhe kishte publikuar listën e lojtarëve të planifikuar për t’u grumbulluar për dy sfidat e javës së dytë të tetorit, kundër Bosnjës më 8 tetor në Tiranë dhe kundër Bjellorusisë më 12 tetor në transfertë.

Kjo listë tashmë do të jetë e pandryshueshme, sido që të jenë zhvillimet në lidhje me shëndetin e trajnerit të përfaqësues sonë, të cilit i urojmë më të mirën. Tekniku kroat ka përzgjedhur 23 lojtarë për këto dy sfida, ku nuk ka surpriza, por vetëm disa ndryshime.

Përveç tre portierëve të stampuar tashmë si të padiskutueshëm në listën e Kombëtares sonë, Beqajt, Hidit, Ujkanit (të radhitur sipas hierarkisë), bie në sy blindimi i repartit mbrojtës me 8 alternativa (Lila, Dallku, Vangjeli, Agolli, Teli, Cana, Vrapi Beqiri), ku risi përbën vetëm grumbullimi i Elvin Beqirit të Khazar Lankaran, i cili do të marrë kështu vendin e Debatik Currit të dëmtuar. Po ashtu e blinduar duket edhe mesfusha me 8 lojtarë të gatshëm për të zbritur në fushë. Sipas informacioneve të fundit, Altin Lala, edhe pse pjesë e listës, rezulton i dëmtuar. Në ndeshjen e parë nuk do të aktivizohet. Në rast se do të jetë në gjendje për të luajtur në ndeshjen e dytë, mund të zbresë në fushë. Për sa i përket sulmit, ky repart formohet nga treshja e të zakonshmëve Bogdani, Salihi, Kapllani, të cilëve u është shtuar edhe Bakaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA