Mainz 05, cudia në mes të Europës

01/10/2010 17:20

Para fillimit të sezonit futbollistik në Europë, nëse do t’ju kishin pyetur për skuadrën më të mirë të javëve të para, me siguri do të kishit përmendur Barcelonën, Real Madrid, Manchester United, Chelsea, Milan apo Inter.

Por nëse ecim në kohë dhe vijmë në ditët e sotme, zbulojmë se surpriza e momentit është Mainz 05 në Bundesligë që udhëheq kampionatin me 6 fitore në po kaq ndeshje edhe pse vjet luftonte për të qëndruar mes më të mirëve.

Fitorja 2-1 në fushën e gjigandëve të Bayern Munchen e ka rritur shumë prestigjin e skuadrës modeste ku sezonin e shkuar u aktivizua edhe sulmuesi shqiptar, Jahmir Hyka. “Djemtë e Karnavaleve” është nofka e skuadrës FSV Mainz 05 që përfaqëson qytetin me të njëjtin emër që ndodhet në anën lindore të lumit Ren.

 Nëse këtë fundjavë Mainz fiton edhe ndaj Hofenheimit, do të barazojë rekordin me 7 fitore rresht që nga dita e parë e Bundesligës. Mainz e ka nofken “Djemtë e Karnavaleve” pasi duke filluar që nga nëntori dhe deri në mars, njerëzit e qytetit organizojnë karnavalet tradicionale. “Mainzi është njohur përherë si skuadra e karnavaleve, ndërsa futbollistët janë shumë të lidhur me fansat. Ata bashkohen me skuadrën në fund të cdo takimi, pavarësisht rezultatit”, shprehet për CNN, eksperti i futbollit gjerman, Rafael Honigstein. Mediat vendase kanë vecuar faktin se lojtarët festojnë me fansat në fund të ndeshjes.

“Tre lojtarët, Lewis Holtby, Andre Schurrle dhe Adam Szalai janë pjesë e bandës Mainz Boyband dhe kur dikush shënon gol ata krijojnë bandën imagjinare muzikore. Njëri është kitarrist, tjetri baterist dhe tjetri këngëtar”, shprehet Honigstein. Një tjetër pikë e fortë e kësaj skuadre është edhe trajneri 37 vjecar Thomas Tuchel që ngjason shumë me portugezin Mourinho. “Kemi filluar të marrim më shumë letra për karnavalet dhe qytetin”, shprehet një zyrtar i bashkisë, i cili shton se skuadra i ka dhënë një dorë të mirë reklamimit të qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA