Kuzhe, Federata mendon për pasardhësin

01/10/2010 20:00

Kanë kaluar 24 orët e para dhe gjendja e trajnerit Josip Kuzhe ka përmirësime të dukshme.

Mjekët të cilët e kanë vëzhguar gjatë 24 oreve që nga shtrimi i tij pasditen e së enjtes, kanë theksuar edhe një herë një stabilitet të parametrave, një shenjë që sipas tyre është tepër pozitive kur bëhet fjalë për një diagnozë si hemorragjia celebrale.

Gjithsesi sipas tyre parametrat e 72 orëve të para do t’i japin atyre mundësinë për të përcaktuar edhe vazhdimësinë e trajtimit të Josip Kuzhes.

“Kur bëhet fjalë për këtë sëmundje, zona ku ka ndodhur hemorragjia është shqetësuese. Deri diku jemi optimistë dhe shpresojmë që pasojat të jenë minimale”, shprehet mjeku Nikolin Filipi. Me shpresën dhe urimin që Josip Kuzhe të ketë një shërim sa më të shpejtë, një diagnozë e tillë kërkon të paktën 4-5 muaj riaftësim të plotë dhe për më tepër, ngarkesat emocionale nuk mund të përballohen nga të sëmurë me këtë diagnozë.

Si rrjedhojë duket se Federatës Shqiptare të Futbollit i duhet të mendojë me seriozitet një emër të ri që mund të drejtojë pankinën kuqezi për këto eliminatore, ndoshta deri në riaftësim të plotë të Josip Kuzhes, ndoshta përgjithmonë.

Gjithsesi, dy ndeshjet e radhës janë shumë pranë dhe me aq sa kuptohet, drejtimin e kuqezinjve do ta marrë zëvendësi Mustedanagic. Xhemal Mustedanagic ka lindur në Bosnje dhe për ironi të fatit, ndeshja e tij e parë nën drejtimin e kombëtares sonë, nëse do të jetë ai, do të luhet përballë përfaqësueses së tij, Bosnje Hercegovina, një kundërshtar i një niveli më lartë se ne, por tani duket se ka edhe fatin në favor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA