Kontakte intensive mes PS-së dhe LSI-së

01/10/2010 08:15

Situata e fundit politike, me akuzat dhe kundërakuzat e forta ka gjasë të jetë vetëm manifestim i tensioneve që zhvillohen në prapaskenë.

Lëvizjet e “papritura” në skenën parlamentare po provokojnë nisjen e llogarive politike në subjektet e ndryshme politike, të cilat po vënë në dyshim perspektivën e ekuilibrave të tanishëm politikë.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se ditët e fundit ka pasur një tendencë për t’u afruar dhe komunikuar nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila është një nga subjektet e goditura nga deklarimet e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.

Si i interesuar direkt në këtë përpjekje duket të jetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili për arsye zyrtarisht të panjohura, lexon si të dobishëm një afrim me PS.

Sipas të njëjtave burime, kërkesa i është drejtuar kreut socialist, Edi Rama, pa saktësuar nëse bëhet fjalë për një takim, apo për një marrëveshje që do të ndihmonte në zgjidhjen e situatës së fundit.

Rrjedhimisht, fijet e së majtës rilidhen kështu në interesa të përbashkëta, apo që përkufizohen në mënyrë të njëanshme, për të rikonfirmuar artificialitetin e koalicionit të tanishëm që qeveris vendin.

Këtu ka rëndësi të theksohet se dalja e Priftit nga qeveria, paradoksalisht e ka afruar atë më shumë me Kryeministrin, një lidhje e shkurtër kjo që në çdo pikëpamje është mjet presioni ndaj LSI-së dhe Ilir Metës.

Top Channel