Xhafaj: Ofrojmë draftet e konsensusit

30/09/2010 12:10

Opozita hedh në tryezën e maxhorancës dy drafte konsensusi duke bërë sipas saj ofertën e ndershme politike.

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj deklaroi se socialistët janë të gatshëm të ofrojnë kontributin dhe konsensusin për Gjykatën Administrative, si dhe për hetimin e zgjedhjeve me ngritjen e komisionit hetimor, sipas rezolutës së Parlamentit Evropian.

“Ofroni konsensusin tuaj për të pranuar draftet tona. Me një lëvizje të vetme ju mund të zgjidhni shumë gjëra”, tha Xhafaj.

Menjëherë pas tij, kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi deklaroi se opozita po kërkon nje justifikim dhe alibi për ngërcin politik dhe vonesat për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative.

“Ju ftoj të rishikoni propozimin tuaj, sepse është e pafalshme që SHBA-të trokasin në dyert tona për një ligj që na duhet ne të gjithëve”, tha Patozi.

Sipas tij, mazhoranca është gjithnjë e gatshme të miratojë gjithcka në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi.

Top Channel