
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, komandanti i Aleancës për Operacionet në Europë, admirali James Stavridis, i ka shprehur Tiranës zyrtare përgëzimet e tij për angzhimet që Shqipëria ka përmbushur si vendi më i ri anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Fjala “përgëzime” shoqëroi cdo fjali të deklaratës së komandatit të lartë të NATO-s, vecanërisht për angazhimin e trupave shqiptare në Afganistan, por edhe për forcat ushtarake brenda vendit.
“Jam i nderuar të jem këtu si komandant i forcave të NATO-s për të përgëzuar Shqipërinë pas më shumë se një vit anëtarësimi dhe për punën e shkëlqyer të forcave tuaja ushtarake, që përfaqësojnë Shqipërinë në aleancën e NATO-s. Sot trupat shqiptare ju përfaqësojnë me krenari dhe, zoti kryeminister, ju raportoj se ato po performojnë në mënyrë të shkëlqyer. Zoti kryeminister, dua gjithashtu t’ju përgëzoj për forcat tuaja ushtarake, për punën ekselente qe po bëjnë brenda Shqipërisë. Kudo që leviz brenda Aleancës, kur shoh flamurin tuaj të dallueshem dhe krenar, ndjehem shumë i lumtur që Shqipëria është pjesë e Aleancës”, ka deklaruar Stavridis.
Në takimin me admiralin amerikan të NATO-s, kryeministri Berisha u angazhua që Shqipëria të rrisë prezencën e saj me njësi stërvitëse në Afganistan dhe njëkohësisht të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia e Shqipërisë në NATO.
Një nga cështjet që mbetet ende pezull mes Shqipërisë dhe NATO-s është ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili përpara se të miratohet, duhet të marrë ekspertizën e NATO-s.
Por kjo cështje nuk është diskutuar në takimin mes kryeministrit Berisha dhe komandantit të NATO-s, i cili e cilësoi atë një cështje politike.
“Ne nuk e diskutam këtë cështje. Ajo është në thelb një cështje politike dhe nuk është në përgjegjësinë time si një ushtarak me uniformë i NATO-s. Ndoshta kryeministri ka një koment”, është shprehur Stavridis.
“Ajo që mund të them është se ligji do të jetë brenda standarteve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo është e sigurt”, tha shkurt kryeministri Berisha.
Top Channel