Almir Rrapo do të ekstradohet

30/09/2010 19:35

Gjykata e Tiranës i tha “po” kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ekstraduar ish-sekretarin e Ministrisë sonë të Jashtme, Almir Rrapo, i arrestuar më 2 korrik si pjesë e një organizate kriminale që vepronte në Nju Jork.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari tha se ekzistojnë të gjitha kushtet për ekstradimin e 27 vjecarit, i cili akuzohet nga prokuroria e Nju Jorkut për një sërë veprash penale, që nisin nga shtantazhi deri tek vrasja e gradës së dytë e shtetasit Erion Shehu.

Gjykatësi deklaroi se ky vendim jepet në përfundim të shqyrtimit të të gjitha provave shkresore, mandateve të arrestit të dërguara nga SHBA dhe akuzave të përpiluara ndaj tij.

Ndërsa ishte i pranishëm në seancat e mëparshme, gjatë dhënies së këtij verdikti, i pandehuri mungonte, por përfaqësohej nga dy avokatët e tij mbrojtës.

Almir Rrapo u prangos brenda në territorin e ambasadës amerikane në Tiranë, në vijim të një operacioni të kryer në Amerike, në bazë të dy mandateve arresti, njëri i lëshuar që në maj të këtij viti dhe tjetri në gusht.

Mbi 27 vjecarin rëndojne akuza të rënda sikurse pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge, armëmbajtje pa leje, pengmarrje, grabitje me armë, shantazh dhe vrasje.

Sipas prokurorëve amerikanë, banda ku bënte pjesë ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme ka nisur fillimisht aktivitetin në vitin 2003 me trafikun e marijuanës e më pas janë kryer edhe krimet e tjera në mënyrë për të mbrojtur territorin e kriminalitetit.

Kjo organizatë njihej si “grupi i vëllezërve Krasniqi”, që të dy të arrestuar. Ndërsa në total për këtë operacion do të jenë nën gjykim 15 persona.

Top Channel