
Regjistrimet për t’u akomoduar në konvikte do të nisin më datë 1 tetor, dhjetë ditë përpara se të çelet viti i ri akademik 2010-2011.
Kjo do të thotë që të rinjtë që pritet të vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe që dëshirojnë të akomodohen në konvikteve, do të kenë dhjetë ditë afat për t’u regjistruar në këto godina.
Sipas drejtorit të Qytetit Studenti, Bujar Brovina, tashmë gjithçka është gati për të pritur këta studentë.
“Rritja e tarifës ka një qëllim të caktuar. Paratë e mbledhura prej tyre do të shërbejnë për të përmirësuar kushtet në Qytetin Studenti, në mënyrë që të rinjtë të ndihen si në shtëpinë e tyre”, tha Brovina.
Përveç përcaktimit të tarifës së strehimit, drejtoria e Qytetit Studenti ka detajuar edhe procedurat që do të ndiqen nga studentët, për t’u regjistruar në bujtinat përkatëse, dokumentet që kërkohen, si dhe kapacitetet.
Këtë vit të ri akademik, në bujtina priten të akomodohen rreth 6500 studentë, ndërkohë që premtohet që strehimi i studentëve në dhoma të bëhet duke iu ofruar kushte të favorshme higjieno-sanitare në çdo kohë.
Dokumentacioni
Për t’u regjistruar në bujtina, për vitin akademik 2010-2011, studentët duhet të paraqesin certifikatë me fotografi të periudhës korrik–tetor 2010, ose fotokopje të kartës së identitetit, të shoqëruar me fotografi dhe të noterizuar, tre fotografi, si dhe vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i formatit origjinal.
Për të përfituar shërbime mjekësore falas, sipas drejtorit, studentët duhet të sjellin pranë qendrës shëndetësore të Qytetit Studenti kartelën mjekësore, mandatpagesën, urdhër-regjistrimin nga inspektorët regjistrues, të cilët janë të vendosur pranë çdo bujtine.
Me përjashtim të studentëve të viteve të tjera, ata të vitit të parë do ta bëjnë pagesën e strehimit pranë bujtinave në momentin e regjistrimit.
Ndërsa, studentët e viteve II-VI, të cilët janë të shpallur në listë-pasaporta sipas bujtinave përkatëse, të planifikuar për vitin akademik 2010-2011, e bëjnë pagesën për strehim në bankë.
Zgjidhja
Këtë vit, drejtuesit e Qytetit Studenti kanë gjetur një zgjidhje ideale për të shmangur radhët e gjata me të cilat përballen shpesh gjatë periudhës së regjistrimeve.
Për të dytin vit me radhë, Qyteti Studenti ka një faqe në ëebsit-in e vet, ku janë të afishuar të gjithë emrat e studentëve, numri përkatës i dhomës dhe i godinës.
Në këtë kuadër të rinjtë duhet vetëm të klikojnë për të gjetur të gjitha të dhënat për dhomën dhe godinën ku do të vendosin të strehohen, për vitin akademik 2010-2011.
“Kërkesat në rritje për strehim të studenteve vajza na nxitën që t’i kthenim bujtinat nr. 20-21 nga bujtina për djem, për vajza të vitit të parë, si dhe për strehimin e vajzave që gjatë vitit akademik 2009-2010 kanë qenë të strehuara në bujtinën nr. 16. Ndërsa studentët djem, të cilët në vitin akademik 2009-2010 kanë qenë të strehuar në bujtinat nr. 20-21 janë planifikuar të kalojnë në bujtinën nr. 22-23, e cila i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, për t’u krijuar studentëve kushte më të mira”, sqaroi Brovina.
Ndërkaq, Drejtoria e QS-së bën me dije se në të gjitha bujtinat do ketë salla studimi, në dhomat e strehimit janë vendosur lavamanë, pasqyra dhe janë shtuar dushet në katet e konvikteve.
Top Channel