Droga, konsum dhe shpërndarje në shkolla

29/09/2010 09:05

Kryebashkiaku i Burrelit, Skënder Lleshi, ka hedhur dyshime të forta se në oborret e shkollave të qytetit konsumohen prej nxënësve lëndë narkotike.

Në një mbledhje të këshillit bashkiak të zhvilluar para disa ditësh, kur diskutohej për problemet në institucionet e edukimit, ai deklaroi se në oborret e shkollave konsumohet drogë.

Deklarata e kryebashkiakut ka lënë të habitur drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, pjesëmarrës në këtë mbledhje, pasi, sipas tyre, ata nuk dispononin të dhëna për konsumim të lëndëve narkotike në oborret dhe ambientet e shkollave që drejtonin.

Ndërkohë kryebashkiaku Lleshi përmendi një sërë problemesh shqetësuese të shfaqura në pesë shkollat e arsimit parauniversitar të këtij qyteti, përfshirë edhe konsumimin e drogës nga nxënësit.

Drejtorët e shkollave, edhe pse mohuan se kishin dijeni për një dukuri të tillë, pohuan se është detyrë e policisë parandalimi dhe zbulimi i personave që shpërndajnë dhe konsumojnë lëndë narkotike të çdo lloji qofshin ato.

I kontaktuar me telefon, kryebashkiaku i Burrelit pohoi për “Shqip”, se shqetësimin e tij në lidhje me këtë fenomen, e ka bërë të ditur edhe në një takim që ai ka zhvilluar me drejtuesit e policisë dhe prokurorisë të rrethit.

Në këtë takim ai ka kërkuar që strukturat përkatëse të policisë të marrin masat e duhura për parandalimin e konsumimit të drogës.

Drejtori i Policisë të Qarkut të Dibrës, komisar Artan Hasani, tha për “Shqip” se drejtuesit e komisariateve të Policisë së Dibrës, Bulqizës dhe Matit kanë marrë kontakte në vazhdimësi me drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, të këtij qarku dhe në asnjë rast nuk është ngritur prej tyre ky shqetësim.

Ndërkohë, sipas drejtorit të policisë, mësohet se seksioni kundër narkotikëve, pranë Drejtorisë së Policisë të Dibrës, ka organizuar takime të veçanta sensibilizuese me nxënësit e shkollave të këtyre rretheve për parandalimin e përdorimit prej tyre të lëndëve narkotike.

“Ne do vijojmë në parandalimin dhe goditjen e personave që merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike në shkolla. Për këtë kërkojmë edhe bashkëpunim të vazhdueshëm me drejtorët e shkollave, ku deri më tani asnjë shqetësim nuk ka ardhur prej tyre, në lidhje me këtë fenomen”, tha drejtori Hasani.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta