
Një zëvendësguvernator në Afganistan është vrarë në një sulm vetëvrasës teksa po udhëtonte me makinën e tij.
Mohammad Kazim Allahyar, i biri dhe katër persona të tjerë humbën jetën nga një shpërthim në provincën e Ghaznit, bën të ditur policia lokale.
“Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe ndodhi pasi kamikazi u fut me makinën e tij mes dy veturave që shoqëronin guvernatorin”, ka deklaruar shefi i policisë së Ghaznit.
2010-a ka qenë viti më i përgjakshëm për Afganistanin, që kur Shtetet e Bashkuara nisën pushtimin në vitin 2001.
Sipas burimeve, Allahyar po shkonte në punë në momentin e atentatit, që i mori jetën edhe shoferit dhe tre truprojave të tij.
Tetë persona të tjerë, përfshirë këtu kalimtarë të rastit, mbetën të plagosur. Allahyar ishte në këtë detyrë që prej 7 vjetësh dhe i mbijetoi një atentati vetëm dy muaj më parë.
Top Channel