Kuzhe: T’i fitojmë të gjitha ndeshjet në shtëpi

27/09/2010 13:20

Kur mungojnë vetëm 11 ditë nga ndeshja eliminatore me Bosnjë-Hercegovinën, Josip Kuzhe përcakton një objektiv mjaft ambicioz: fitimin e të gjitha ndeshjeve në shtëpi.

Shqipëria triumfoi me Luksemburgun, skuadrën më modeste në grupin eliminator të Euro 2012, ndërsa tashmë vjen përballja me boshnjakët, që së bashku me Francën dhe Rumaninë synojnë kualifikimin.

“Eliminatoret sapo kanë nisur dhe për momentin nuk kemi asnjë objektiv konkret. Nuk mund të themi që duam të fitojmë grupin, të renditemi të dytët apo të tretët. Edhe pse herë pas here ka regjistruar rezultate të suksesshme, deri më tani Shqipëria është renditur e pesta ose e gjashta. Ne dëshirojmë që të bëjmë një hap përpara dhe në këto eliminatore të lëmë poshtë vetes edhe një skuadër tjetër përveç Luksemburgut. Kjo nuk do të jetë e lehtë për t’u realizuar, pasi kundërshtarët në këto eliminatore kanë kualitet dhe mjaft reputacion në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, besojmë se në këtë grup të gjitha skuadrat do të humbasin pikë gjatë rrugës së tyre: ne do të kërkojmë të pësojmë sa më pak humbje, në mënyrë që të kemi pozita të mira në klasifikim. Synojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në shtëpi dhe t’i kënaqim tifozët tanë”, deklaroi Kuzhe.

Ndeshja me Bosnjë-Hercegovinën do të luhet më 8 tetor në “Qemal Stafa”, e ashtu si ka bërë edhe më parë, tekniku kuqezi i ka paralajmëruar kundërshtarët se nuk i pret një ndeshje e lehtë. Ai tha: “Pas ndeshjes në Shqipëri, Bosnja do të shohë gjendjen e saj reale. Ata janë nën presion, pasi nëse humbasin këtë sfidë, objektivat e tyre për kualifikim do të tronditen. Gjithsesi, i shoh boshnjakët si kandidatë për vendin e parë në këto eliminatore, së bashku me Francën, Rumaninë apo Bjellorusinë. Në ndeshjen e tetorit do të isha i kënaqur edhe me një barazim, nëse skuadra ime luan mirë. Megjithatë, ne do të futemi në fushë për të fituar dhe Bosnja nuk do ta ketë aspak të lehtë në Tiranë. Nuk e mendojmë humbjen, do të shfrytëzojmë shanset e krijuara për të marrë maksimumin”.

Kuzhe shtoi se rezultati mbetet primar: “Duhet ta mbyllim këtë sfidë me emocione pozitive, që do të thotë të mos humbasim”. Ai theksoi se për të qenë e suksesshme, Shqipëria duhet të luajë në mënyrë kompakte. Trajneri kroat gjithashtu beson se momenti i mirë që po kalojnë kuqezinjtë mund të jetë avantazh, pasi në situata të tilla lojtarët japin më tepër se kapaciteti i tyre.

“E kemi të qartë se na pret një ndeshje e vështirë, me një skuadër që ka mjaft lojtarë cilësorë. Gjithsesi do të përpiqemi të jemi kompaktë dhe të motivuar: me Bosnjën është e vështirë të luash në sulm, por do të gjejmë një taktikë për të arritur rezultat dhe për t’u bërë surpriza kundërshtarëve. Aktualisht jemi një skuadër e mirorganizuar dhe atmosfera është mjaft e mirë: në një situatë të tillë, lojtarët japin më tepër se aftësitë e tyre reale”, përfundoi drejtuesi i stolit të Kombëtares.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA