
Çështja e kasave është shndërruar në një betejë të fortë akuzash të ndërsjellta politike. Kryeministri përsëriti vendimin e qeverisë për të rimbursuar çmimin e kasave për biznesin.
“Kostoja e kasave për biznesin do jetë zero, do i zbresim nga taksat për biznesin e vogël”, tha Berisha.
Në fakt ky vendim i qeverisë vjen dy ditë pasi Ministri i Financave kishte deklaruar një zgjidhje tjetër, atë të shtyrjes së përkohshme të afatit dhe gjetjes së një mundësie për shitjen e kasave me çmim më të lirë. Vendimi i deklaruar nga Berisha ka shkaktuar reagimin e opozitës.
“Kthehet kryeministri nga Amerika dhe jo vetëm që refuzon propozimin e Ministrit të Financave, por shkon edhe me tutje duke futur duart në financat e pushtetit vendor që janë lekët për pastrim, gjelbërim e për shërbimet e tjera”, tha Rama.
Zoti Rama shtoi se proçedurat që ndoqi qeveria me kasat është një aferë e madhe korruptive që tregon fytyrën e vërtetë të saj.
“A e kuptoni se ku ka mbërritur babëzia e kësaj qeverie kusarësh dhe se çfarë është në gjendje të bëjë personalisht Sali Berisha që e konsideroj personalisht të përfshirë në këtë veprimtari korruptive e cila ka plasur në të katër anët me këto kasa fiskale që janë simbol i këtij simboli qeveritar”, deklaroi Rama.
Por kryeministri ka dashur të bëjë një paralelizëm duke akuzuar liderin e opozitës se është ai që e ngarkon biznesin me taksa të larta.
“Mos harroni klithmat e opozitës për pasaportat biometrike që ishin jetike për vizat. E njëjta melodi po ndiqet edhe tani, por këtë radhë nga interesa strikte mafioze. Si mund të derdhësh lot krokodili ti për kasat kur ato kushtojnë më pak se sa taksat që i ke vënë t’i biznesit për emrin”, tha kryeministri Berisha.
Në Shqipëri ka mbi rreth 120 mijë biznese që kanë detyrimin për të vendosur kasat, por deri tani janë pajisur vetëm 10 përqind e tyre
Top Channel