Zhgënjimi i Currit: Nuk e ndihmoj dot Kombëtaren

24/09/2010 12:00

Tashmë është e konfirmuar zyrtarisht: Debatik Curri ka pësuar një dëmtim të rëndë në ligamentet e gjurit. Një gjë e tillë e ka zhgënjyer së tepërmi futbollistin e Kombëtares shqiptare dhe njëkohësisht të Gençlerbirligi. Futbollisti kuqezi sapo kishte filluar të ambientohej në klubin e ri turk.

Menjëherë më pas kosovari ka shprehur keqardhjen e tij, pasi nuk do të ketë mundësi ta ndihmojë klubit turk dhe Kombëtaren shqiptare, e cila më shumë se kurrë ka shumë nevojë për të.

Nuk është e vështirë ta vëresh zhgënjimin e madh të Currit pas këtij dëmtimi të rëndë, i cili, sikurse është pohuar nga stafi mjekësor i klubit, është shumë e mundur ta lërë atë jashtë fushës së blertë për rreth gjashtë muaj. Por fatkeqësia më e madhe ka të bëjë me faktin se gjithçka ka ndodhur në momentin që po përjetonte formën më të mirë fizike. Futbollisti kosovar është dëmtuar rëndë në stërvitjen e së mërkurës me ekipin e tij Gençlerbirligi.

Mjekët e klubit turk kanë konstatuar se mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë i ka këputur ligamentet e jashtme dhe të brendshme të gjurit të djathtë dhe pritet të mungojë për rreth gjysmë viti. Për momentin nuk është përcaktuar saktë se cila do të jetë odiseja e rikuperimit të tij, por një gjë është e sigurt: sipas vetë Currit, brenda kësaj jave do t’i nënshtrohet një operacioni të detyrueshëm. Por asgjë nuk arrin t’ia heqë keqardhjen e madhe për pamundësinë për të ndihmuar klubin e tij aktual, por edhe Shqipërinë për një kohë goxha të gjatë.

“Mjekët e klubit më kanë thënë se është një klinikë e specializuar në Turqi për t’u operuar. Ndërsa unë po insistoj të operohem në Belgjikë. Jam duke u konsultuar me mjekët dhe do ta marrim një vendim se ku do të operohem. Por, është e sigurt se brenda kësaj jave, ose maksimalisht të hënën, do t’i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale. Minimumi gjashtë muaj pas operimit nuk do të mund të luaj”, ka deklaruar të enjten Curri për gazetën e njohur kosovare, “Express”. “Më vjen shumë keq që e pësova këtë dëmtim, por ky ishte fati im. Kohët e fundit isha duke kaluar një formë të mirë. Më vjen shumë keq për skuadrën. Përveç meje, edhe tre lojtarë të tjerë të ekipit janë të dëmtuar dhe këto mungesa mund të ndikojnë negativisht në rezultatet e skuadrës”, vazhdoi ish-futbollisti i Vorsklas.

Por ajo që duket se do ta vuajë shumë dëmtimin e Currit është Kombëtares shqiptare, e cila ka shumë nevojë për shërbimet e tij në këtë periudhë intensive të ndeshjeve eliminatore të Europianit 2012. Mungesa e tij do t’i shkaktojë dhimbje koke Josip Kuzhesë, që tashmë duhet të mendojë për zëvendësin e kosovarit për ndeshjet e radhës ndaj Bosnjës më 8 tetor dhe Bjellorusisë më 13 tetor.

“Është e vërtetë që Kombëtarja ka probleme me repartin difensiv. Megjithatë, besoj që Kuzhe do ta gjejë zëvendësuesin e duhur. Më vjen jashtëzakonisht keq që nuk do të mund të luaj, por kështu paska qenë e shkruar. Unë i uroj Shqipërisë më të mirën ndaj Bosnjës, por edhe në ndeshjet e tjera. Gjithsesi unë jetoj me shpresë se shpejt do t’i kthehem ekipit Kombëtar”, theksoi Curri. Menjëherë pas dëmtimit, zyrtarët e FSHF-së e kanë telefonuar për t’i shprehur keqardhje për dëmtimin dhe urim të shpejtë. Muaji i rikthimit të tij mendohet të jetë marsi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA