Topi në OKB, apel për njohje të Kosovës

24/09/2010 01:15

Presidenti i Republikës Bamir Topi e mori fjalën përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pak pas mesnatës me orën tonë.

Presidenti preku arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e objektivave të mijëvjecarit, arritje të cilat ishin prekur gjerësisht edhe nga kryeministri Berisha. U ndal në përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, por një vend të gjerë në fjalën e kreut të shtetit zuri situata rajonale dhe Kosova.

Presidenti e cilësoi një ngjarje shumë të rëndësishme për rajonin, miratimin me konsensus të rezolutës për ligjshmërinë ndërkombëtare të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Tashmë që çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj i takon së kaluarës, pra është një çështje e mbyllur dialogu për çështje praktike bëhet i domosdoshëm. Ne shpresojmë se ky mesazh i sanksionuar në rezolutë do të vihet menjëherë në praktikë nga këto dy vende të pavarura. Ne mbështesim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të fillojë pa humbur kohë…Opinioni këshillimor i GJND-së provoi juridikisht se pavarësia e Kosovës mbetet rast “sui generis”, unik dhe për pasojë as precedent për situata të tjera në vende të tjera. Sot është çasti të provojmë me fakte se respektojmë OKB-në dhe… Sot ne kemi përgjegjësinë ndaj një vendi dhe një populli që dëshiron me të drejtë të jetë mes nesh dhe ka dhënë provën se e meriton këtë vend. U bëj thirrje kolegëve të mi të nderuar, vendet e të të cilëve akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin atë, duke i siguruar se kjo është mënyra e vetme për t’i kontribuar stabilitet afatgjatë dhe paqes jo vetëm rajonale, por edhe globale”, tha presidenti Topi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA