Vedad Ibiseviç, një prej yjeve të përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës ka pranuar se ndeshja në Shqipëri nuk do të jetë aspak e lehtë.
Sulmuesi i Hofenhaimit në Bundesligën gjermane mendon se boshnjakët do të vendosen përballë një testi mjaft të vështirë në Tiranë më 8 tetor.
“Përpara ndeshjes me Shqipërinë, më presin dy sfida në kampionat me Këlnin dhe Maincin, megjithatë unë po mendoj që tani për duelin në Tiranë. Të gjithë ne duhet të japim më të mirën për të fituar, pasi kjo është një prej ndeshjeve më të rëndësishme”, deklaroi Ibiseviç.
“Natyrisht, pas sfidës me Shqipërinë na presin edhe mjaft përballje të tjera të rëndësishme, megjithatë mos e harroni faktin se transferta në Tiranë është vërtet shumë e vështirë. Shqipëria ka një skuadër të fortë dhe nuk do ta kemi të lehtë kundër tyre. Duhet të japim më të mirën, sepse nëse nuk arrijmë të fitojmë më 8 tetor, atëherë nuk mund të pretendojmë për një pozicionim të mirë në grupin eliminator”.
Top Channel