Ftesa e munguar në Uashington për Ilir Metën, duket se do të jepet për pasuesin e tij në këtë detyrë, Edmond Haxhinasto.
Darka transatlantike e zhvilluar dje nga sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, në Nju Jork ka sjellë me vete edhe konfirmimin për një vizitë zyrtare të ministrit shqiptar në Uashington brenda këtij viti.
“Gjatë darkës, ministri Haxhinasto zhvilloi edhe një bisedë të ngrohtë me sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Hillary Clinton, e cila e uroi z. Haxhinasto për marrjen e detyrës dhe i konfirmoi ftesën për një vizitë në Uashington në fundin e këtij viti”, njofton Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Ky lajm përveç rëndësisë që bart si pjesë e zhvillimeve diplomatike vjen me një tingëllim të ri edhe brenda kontekstit politik shqiptar.
Kështu është i njohur fakti i përcjellë nga media për një letërkëmbim mes ish-ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe një prej zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit, rreth qëndrimeve të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers.
Sipas këtij vështrimi të bërë prezent në Shqipëri nga mediat, ftesa për Haxhinaston e përcjell automatikisht edhe mesazhin për çështjen e sipërpërmendur.
Ndërkohë, Haxhinasto ka kërkuar nga Clinton angazhimin amerikan edhe për sa u përket bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës që tanimë do të jetë për çështje teknike.
Top Channel