Dekreti, polemika në Kuvend

23/09/2010 20:00

Votimi i dyfishtë të enjten e kaluar në Parlament për rrëzimin e dekretit të presidentit për kthimin e ligjit të pronave, ka marrë edhe këtë seancë vëmendjen kryesore, pasi opozita e ktheu atë në cështje të rendit të ditës. 

Socialistët, të cilët nuk pranuan të votojnë proceverbalin ku zbardhet cdo fjalim dhe votim i një seance më parë, akuzojnë kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, për shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke e ngarkuar edhe me përgjegjësi penale.

“E rëndësishme është ajo që mbetet në këtë procesverbal, që përbën jo vetëm një shkelje të rëdnë të parlamentarizmit në Shqipëri, por, të nderuar kolegë, përbën një vepër të rëndë penale. Në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Pocedurës Penale, shtetësja Jozefina Topalli duhet të akuzohet për shpërdorim të detyrës, për kryerje të veprimeve arbitrare, për falsifikim dhe ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, ka deklaruar deputeti socialist Taulant Balla.

Por, në emër të grupit demokrat, kryetari Astrit Patozi mori përsipër atë që e quajti përgjegjësi për respektimin e Rregullores dhe Kushtetutës.

“Jam unë përgjegjësi apo fajtori, në rast se juve ju duhet patjetër që të tregoni dikë me gisht. Dhe po ju them, që atë krim, në thojza, ndaj Kushtetutës, atë krim ndaj rregullores, do ta bëj prap. Këtë nuk e bëj për të treguar arrogancën e mazhorancës, por e bëj sepse kam bindje absolute që nuk ka ndodhur asgjë. Dhe ju thjesht doni të krijoni furtunë në epruvetë”, ka deklaruar Patozi.

Por debatet më të ashpra ishin mes kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruci dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u ka kërkuar socialistëve ta ankimojnë procedurën e votimit në strukturat përkatesë të Kuvendit. Por socialistët deklaruan se do ta anikimojnë cështjen në instancën më të lartë, në Gjykatën Kushtetuese.

“Zonjë e nderuar, ne po të themi që ti e ke me shkrim, nga 72 deputetë në sallë, ke shënuar 73. Dhe tani këkroni prej nesh ta votojmë sikur kanë qenë 73. Unë po ju drejtohem nominalisht deputetëve, zoti Bode, zonja Përnaska, zoti Prifti, keni qenë apo jo në seancë? Unë po ju drejtohem këtu. Dekreti ka marrë 71 apo 68 vota? Unë po ju drejtohem këtu, kur shkelet Kushtetuta dhe rregullorja, votimi quhet i pavlefshëm”, ka deklaruar Ruci.

“Votimi ka qenë kushtetues dhe këtë nuk e luan Topi. Kjo rregullore për mua është Bibël, është libër i shenjtë. Unë këtë rregullore nuk e shkel për ansjë arsye në botë dhe votimi i radhes së kaluar ka qenë në përputhje të plotë me rregulloren. Shfrytëzo cdo hapësirë që të jep kjo rregullore për ta ankimuar në trupat e Kuvendit, në të gjitha insitucionet që janë brenda Kuvendit”, është përgjigjur Topalli.

“Qofshi ju që jeni. Gjithë përgjegjësinë morale, politike dhe ligjore në dimë se ku ta kërkojmë. Do ta kërkojmë atë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, si për përmbajtjen, ashtu edhe për formën”, ka replikuar Ruci.

Pas kësaj deklarate opozita e braktisi sallën, ndërsa mazhoranca pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar me 74 vota pro, votoi po me këto vota dekretin e presidentit për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, i cili do të ketë mesa duket shumë shpejt mbi tryezë një ankimim për ligjin e pronave nga Partia Socialiste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA