Bode: Kasat ok, proces i liberalizuar

23/09/2010 19:40

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se fatura e kasave që po kërkohet t’i vendoset biznesit është shkatërruese dhe përmban kosto korrupsioni. 

“Shqetësimet e sipërmarrësve na rezultojnë të mbështetura në prova, që tregojnë se cmimi i kasavë është cmimi i korrupsionit. Detyrimi për t’i blerë këto kasa me këtë cmim shkatërrues është detyrim i korrupsionit. Gjobat e rënda për ata që s’kanë mundësi t’i blejnë kasat janë në të vërtetë gjobat e korrupsionit”, ka deklaruar Rama.

Pak orë më vonë ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili më parë u ishte përgjigjur njëherë akuzave të deputetëve socialiste në Kuvend për këtë cështje, ka reaguar edhe ndaj deklaratës së liderit opozitar. Bode ka sqaruar se cmimi i kasave është produkt i tregut të lirë.

“Qeveria për të krijuar një konkurrencë të drejtë ka hequr licensat e kompanive për vendosjen e kasave duke krijuar mundësi për cdo biznes të futet në treg. Idetë për monopole janë të pabaza. Edhe për biznesin e vogël do këmbëngulim që të gjëndet një objekt i përshtatshëm”, ka pohuar Bode.

Bode akuzoi opozitën se po nxit protesta ndaj një procesi tërësisht të ligjshëm dhe jetik për ekonominë.

“Kreu i PS po përpiqet të instrumentalizojë një proces jetik për ekonominë shqiptare, lirinë e tregut, konkurrencën e barabartë, për sjelljen e njëllojtë përpara ligjit, etj”, është shprehur Bode.

Por zoti Rama paralajmëron se do të zbardhë fakte që vërtetojnë se procesi i vendosjes së kasave është i korruptuar.

“Ne do të hapim publikisht këtë dosje dhe do nisim publikisht transparencën e kësaj historie të neveritshme korrupsioni që zë fill në zyrën e ministrit të Financave”, ka nënvizuar Rama.

Prej dy ditësh një grup biznesesh, kryesisht të vogla, kanë nisur protestat ndaj vendimit të qeverisë që i detyron edhe tregtarët ambulantë të blejnë kasa me cmime që variojnë nga 400 deri në 1 mijë euro.

Në vende të ndryshme të rajonit tregtarët ambulantë detyrohen të vendosin kasa portabël që kushtojnë disa herë më lirë, por Ministria e Financave ka vënë kushtin që pajisjet duhet të transmetojnë në kohë reale xhiron ditore tek tatimet, gjë që sipas saj nuk mund të realziohet nga kasat portabël.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA