Mazhoranca, akuza ndaj Ramës

21/09/2010 08:45

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, dhe deputetë të Partisë Demokratike kanë sulmuar dje kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për shfrytëzimin e detyrës së tij dhe përfshirjes në afera korruptive.

Përmes një deklarate për shtyp, ministri i Transporteve, Olldashi, hodhi poshtë çdo akuzë të bërë nga socialistët, sipas të cilëve qeveria po shtron rrugët që ndihmojnë bizneset e klientëve të saj.

“Me dieta nga paratë e Bashkisë së Tiranës, Rama udhëtoi dje për në Sarandë dhe llafosi për rrugët, duke na akuzuar se paskemi bërë rrugë në bazë të interesave politike apo private. E sqarojmë z. Rama, se kemi bërë deri tani mbi 8000 kilometra rrugë, nga Konispoli në Valbonë, sikurse kemi bërë të gjitha lidhjet e të gjitha akseve nacionale me bregdetin, pjesë e programit të kësaj qeverie”, theksohet në deklaratën e ministrisë.

Po kështu, përmes kësaj deklarate, në mënyrë të tërthortë hidhen akuza ndaj interesave që vënë në lëvizje edhe projektet e Bashkisë së Tiranës.

“Rrugët që ne bëjmë, ndërtohen mbi bazën e projekteve dhe i shërbejnë interesave të banorëve në zona të ndryshme të vendit. Në asnjë rrethanë, ne nuk devijojmë rrugë tek oborri i Dashit, dhe as i japim katër tenderë në një ditë Kocos”, theksohet në deklaratën e bërë nga Olldashi.

Po dje deputeti i Partisë Demokratike, Gjergji Papa, deklaroi se Rama po vijon t’i fshihet fakteve publike, sipas të cilave ai përfiton 20% të aksioneve në çdo ndërtim që bëhet në kryeqytet.

“Edvin Kristaq Rama apo Mr. 20%, në deklaratën e pasurisë deklaron me shkrimin e tij se 12 vjet në politikë ka kursyer vetëm 3000 mijë euro”, ka deklaruar Papa.

Top Channel