Vizat, Malmstrom: Plotësuat kriteret

20/09/2010 14:15

Cecilia Malmstrom, komisionere për Cështjet e Brendshme rikonfirmoi pas takimit me ministrin Lulzim Basha, se Shqipëria i ka përmbushur kriteret teknike për liberalizimin e vizave.

Por, ndërsa Komisioni Europian rekomandon heqjen e vizave, disa vende anëtare kanë ende pyetje për këtë proces.

“Komisioni ka përfunduar vlerësimin teknik që e ka dërguar ndaj Parlamentit dhe Këshillit, ku thuhet se: Shqipëria përmbush të gjitha kriteret e duhura dhe se ka bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të arritur liberalizimin e vizave. Tashmë i takon Këshillit që të marrë vendim dhe aty e di që disa vende anëtare ngrenë disa pyetje”, ka deklaruar Malmstrom, e cila ka refuzuar të bëjë parashikime se kur do të merret ky vendim.

“Komisioni propozon liberalizimin, por i takon Këshillit që të marrë vendimin dhe unë sot nuk mund të them se kur do të merret ky vendim, por shpresoj që kjo të ndodhë këtë vjeshtë. I takon Këshillit të vendosë”, ka pohuar Malmstrom.

Ndërkohë, asgjë nuk ka ndryshuar në kalendarin procedurial për vendimmarrjen e institucioneve të ndryshme të BE-së.

Ne Parlamentin Europian raporti i Fajon miratohet në fund të shtatorit nga komiteti përgjegjës, për t’i kaluar seancës plenare në tetor dhe axhenda paraprake e Presidencës belge ruan datën 8 nëntor për shqyrtimin e heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen nga ministrat e Brendshëm europianë.

Pas Komisionit, ministri Basha është takuar me sekretarin e shtetit belg për Emigracionin, diplomatë të vendeve anëtare dhe përfaqësuesin e sekretariatit të Këshillit të BE-së.

Top Channel