
Kryeministri Berisha pohon se në korridoret e selisë së Kombeve të Bashkuara ka pasur një takim të shkurtër me presidentin francez Nicolas Sarkozy.(UPDATE)
Takimi është dokumentuar nga kjo foto e vogël. Kurse zyra e shtypit e Këshilli të Ministrave ka nxjerrë një njoftim të shkurtër. Por, gjithmonë sipas kryeministrit Berisha, ky shkëmbim batutash në këmbë është përqëndruar vetëm në një vizitë të mundshme të presidentit Sarkozy në Tiranë.
Më pas, i pyetur nga televizioni publik shqiptar, kryeministri është shprehur optimist se Franca nuk do ta bllokojë liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
“Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë të saj (Francës). Jam i bindur se Franca këtë qendrim ka. Kërkon të sigurohet që standartet janë siguruar, por nuk është vetëm Franca. Çdo vend anëtar ka marrë tashmë mendimin përfundimtar të Komisionit dhe pas 3 çështje të shtruara në korrik dhe ekspertëve, po bëjnë shqyrtimin që unë kam bindje dhe besimin që do të jetë pozitive”, deklaroi kryeministri Berisha.
Presidenti Sarkozy është nismëtari i dëbimeve masive nga territori francez i popullsive romë të vendosura në Francë pas anëtarsimit në Bashkimin Europian të Rumanisë dhe Bullgarisë.
Kjo politikë e sigurisë i ka kushtuar presidentit francez kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar apo presidenti i komisionit europian Barroso. Por elementi sekuritar ka qenë i pranishëm në aksionin politik të presidentit Sarkozy që në kohën kur ai ishte Ministër i Brendshëm.
Në rast të bllokimit të liberalizimit të vizave, Shqipëria do të vuante problemet e brendshme të politikës franceze. Dhe jo mospërmbushjen e kritereve apo mundësinë reale për emigrim masiv të shqiptarëve. Por kryeministri Berisha siguroi se presidenti Sarkozy, i cili në të ardhmen mund të vizitojë Shqipërinë, nuk do ta bllokojë proçesin.
Top Channel