
Ekonomia europiane është ende e brishtë por drejt shërimit, madje më fort nga c’parashikonte Brukseli në pranverë.
Por Olli Rehn, komisioneri për Cështjet Ekonomike dhe Monetare, tregoi se pavarësisht përmirësimeve në tregun e punës, paqartësitë mbeten dhe ruajtja e stabilitetit financiar sikundër dhe vazhdimi i konsolidimit fiskal janë prioritetet kyce të BE-së.
“Me fjalë të tjera, tashmë kemi një terren më solid nën këmbët tona. Kemi nisur të shënojmë përsëri, por nuk ka ende arsye për të bërtitur për fitore. Në vend të kësaj, ne duhet të mbetemi vigjilentë përballë paqartësive që mbeten”, deklaroi Rehn.
Rehn theksoi se rritja ekonomike do të rezultojë më e ulët për pjesën e dytë të vitit. “Jam i shqetësuar për të ardhmen e ekonomisë europiane dhe situatën në vende të tilla si Greqi, Itali, Spanjë. Megjithëse kemi një terren solid nën këmbët tona, jemi ende të paqartë për shkak të zhvillimeve të tregtisë botërore, por këto paqartësi shkaktohen dhe nga sfidat e brendshme në lidhje me borxhin e qeverive dhe tregjet financiare”, shtoi Rehn.
Këto deklarata Rehn i dha gjatë prezantimit të parashikimit paraprak për rritjen e GDP-së dhe inflacionit gjatë 2010-ës për vendet e zonës EURO dhe të BE-së.
Rritja ekonomike vlerësohet 1.8% për BE-në dhe 1.7% për zonën EURO, ndërsa parashikimet e pranverës tregonin përkatësisht një rritje prej 1% në BE dhe 0.9% për zonën EURO.
Ndërsa inflacioni, sipas komisionit, është aktualisht 1.8% në Union dhe 1.4% në vendet e zonës EURO.
Top Channel