Vllaznia, lojtarët “blejnë” fanelat e reja

10/09/2010 12:00

Në futbollin shqiptar, që shpeshherë “dhuron” çudi të padëgjuara ose të pamenduara më parë, është regjistruar një tjetër ngjarje që i kalon kufijtë e nonsensit. Lojtarët e Vllaznisë janë detyruar të blejnë uniformat e reja të skuadrës.

Sikur të ishin një skuadër amatore, ose ashtu siç ndodh rëndom në shumicën e ekipeve zinxhir në vendin tonë, klubi ka vendosur që t’i mbulojë shpenzimet për fanellat e reja në një mënyrë mjaft origjinale: duke ndërhyrë te xhepi i sportistëve.

Gjithçka ka qenë e paparalajmëruar dhe surpriza e pakëndshme natyrshëm që i ka gjetur të papërgatitur futbollistët. Drejtuesit e klubit i kishin lajmëruar që të paraqiteshin në zyrat e financës, pasi skuadra do të merrte rrogën mujore, por për habinë e lojtarëve, në bordero të gjithë kanë pasur nga 30 mijë lekë të reja më pak në pagesë. Ndërkohë, ata që i paguan më shtrenjtë uniformat e reja ishin lojtarët e huaj të skuadrës, të cilëve u janë mbajtur nga 300 euro (diçka më shumë se 41 mijë lekë të reja). Këta të fundit paguhen me rroga relativisht të mira për nivelin e kampionatit shqiptar dhe duke qenë se pagesa bëhet në euro, klubi kuqeblu nuk është lodhur aspak për të bërë konvertimin e monedhës, por ka gjetur rrugën më të shkurtër. Ky vendim i papranueshëm për një skuadër të Kategorisë Superiore ka shkaktuar mjaft pakënaqësi në radhët e lojtarëve. Te Vllaznia është përdorur shpeshherë mbajtja e parave nga lojtarët, në formën e gjobave për paraqitje të dobëta, humbje, apo largim nga objektivat sezonale. Megjithatë, kjo ishte një “manovër” e papritur, pasi futbollistët as që mund ta kishin menduar në startin e sezonit, kur firmosën kontratat me presidentin Valter Fushaj, se uniformat për sezonin 2010-2011 do të mbaheshin nga rrogat e tyre. Situata e krijuar nga vetë krerët e Vllaznisë rrezikon të komprometojë paraqitjen e skuadrës për sfidën e javës së tretë të kampionatit kundër Laçit, që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Loro Boriçi”. Deri më tani, skuadra e drejtuar nga trajneri malazez Radonjiç është paraqitur mjaft mirë. Në dy ndeshjet e para shkodranët kanë grumbulluar 4 pikë, duke fituar 3-2 sfidën e parë me Bylisin dhe barazuar pa gola në fushën e Kastriotit.

Sipas burimeve pranë klubit, situata është bërë edhe më absurde në momentin kur drejtuesit kuqeblu kanë tentuar t’u shpjegojnë lojtarëve mbajtjen e një shifre kaq të madhe për fanellat e reja. Kjo edhe për faktin se një uniformë sportive kushton 10-fish më pak se vlera që u mbajt nga rrogat e skuadrës. “Futbollistët ishin dukshëm të pakënaqur me atë që ndodhi, pasi askush nuk e kishte menduar se në ditën e marrjen se rrogave do ta gjente pagesën të përgjysmuar për uniformat e reja të skuadrës, pohoi burimi. Drejtuesit u komunikuan lojtarëve se paratë janë një formë garancie deri në fund të sezonit, në mënyrë që fanellat të mos humben ose të mos prishen. Vetëm nëse uniforma do të jetë në gjendje të mirë, sportistët do të marrin mbrapsht paratë e tyre”. Kjo ndodh pikërisht në kohën kur në mbarë Europën klubet elitare kanë nga një fanellë (në rastet e motit me reshje edhe dy ose tre të tilla) për një ndeshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA