
Ministri francez i Emigracionit, Eric Besson ka deklaruar gjatë një vizite në Rumani se Franca nuk do ta ndalë dëbimin e romëve.
Duke reaguar ndaj apelit të PE për ndalimin e dëbimit, Besson tha se Franca do të ndihmojë popullsinë rome që të integrohet në Rumani.
Nga ana e saj Rumania do të hartojë disa plane integrimi dhe do të dërgojë njësi policore në Paris për të ndihmuar në frenimin e krimeve të kryera nga emigrantët rumunë.
Parisi zyrtar ka premtuar se do të investojë financiarisht për të ndihmuar kthimin e romëve në Rumani dhe deri tani ka larguar nga vendi rreth 1 mijë persona të kësaj kategorie.
Duke folur në Bukuresht përkrah ministrit të Jashtëm rumun Teodor Baconschi, Besson është munduar të ulë përplasjet mbi këtë cështje.
Dy ministrat deklaruan se vendet e tyre do të punojnë së bashku për të fituar fonde nga BE, për të përmirësuar kushtet e jetesës së romëve në vendet e origjinës.
Top Channel