“Stream Oil”: Tartari, vetëm administrator

02/09/2010 19:50

Sotiris Kapotas, president-drejtor ekzekutiv i kompanisë “Stream Oil”, me bazë në Kanada, por me aktivitet vetëm në Shqipëri, është i zemëruar. (UPDATE)

Ose të paktën, ashtu lë të kuptohet nga deklarata për media që lexon në anglisht.

“Jemi sot këtu përpara jush pasi e ndjejmë si një detyrim të madh që të sqarojmë publikun shqiptar rreth disa deklaratave krejtësisht të pabaza, të pasakta, që kërkojnë të denigrojnë figurën e kompanisë sonë”, ka deklaruar Kapotas.

Zoti Kapotas i referohet, ndonëse nuk e thotë shprehimisht, deklaratës së deputetit Brace, se “Stream Oil” është rregjistruar në Shqipëri me një pronar të vetëm, partnerin e deputetes Albana Vokshi, zotin Arjan Tartari.

Kërkesa, negocimi, firmosja e marrëveshjes koncesionare me “Albepetrol SH.A”, e cila përfaqëson afërsisht 6% të prodhimit ekzistues të naftës në Shqipëri, ka marrë një kohë të gjatë dhe është bërë në kuadër të zbatimit të legjislacionit shqiptar në fuqi.

Marrëveshjet ekzekutohen nëpërmjet “Stream Oil and Gas LTD”, ishujt Kaiman, që zotërohet 100% prej “Stream Oil and Gas LTD”, Kanada.

“Deklaroj këtu se asnjë subjekt tjetër, që mund të ketë të njëjtin emër dhe që mund të jetë rregjistruar në Shqipëri, nuk është përdorur ose ka ndonjë të drejtë në marrëveshjet hidro-karbure të “Stream Oil and Gas LTD”, Kanada. Mbi baza krejtësisht të orientuara nga tregu, “Stream Oil” ka seleksionuar zotin Arian Tartari, biznesmen shqiptar me eksperiencë, duke e caktuar atë si një nga administratorët e tij në Shqipëri”, ka saktësuar Kapotas.

Zoti Kapotas thotë se nëse burime politike do të vazhdojnë të japin informacione false, “Stream Oil” do ndërmarrë veprimet e duhura ligjore në gjykata kombëtare apo ndërkombëtare.

Por zoti Kapotas, që flet disa gjuhë dhe së fundmi ka filluar të kuptojë mirë shqip, nuk pranon t’i përgjigjet pyetjes nese a e konsideron ai konflikt interesi faktin që partnerja e zotit Tartari ka qenë anëtare e bordit mbikqyrës të “Albpetrol” në kohën kur është konkluduar kontrata koncesionare.

Ndërkohë, Partia Socialiste shprehet entuziaste nga ideja se presidenti i “Stream Oil” mund të hedhë cështjen në gjyq.

“Jemi gati t’i provojmë gjykatës ndërkombëtare atë që gjykatat e prokuroria në Shqipëri mbase nuk duan ta shohin: Konfliktin flagrant të interesit në dhënien e koncesionit në fjalë nga qeveria për oborrin e familjes në pushtet, si edhe procedurat absolutisht jashtë cdo standarti ndërkombëtar të dhënies së këtij koncesioni. Nënvizoj se opozita nuk sulmon as biznesin dhe as biznesmenët, po qeverinë që bën biznes me interesat publike në dëm të vendit e në shkelje të ligjit. Zotëria sot nuk mbrojti biznesin, po zotin Tartari”, ka deklaruar deputetja Olta Xhacka.

Partia Socialiste e ka shndërruar cështjen e koncesioneve në kartë të luftës së saj politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA