Rregull i ri: Banorët të mësohen me ndarjen e mbeturinave

02/09/2010 08:25

Duke nisur nga data 1 shtator, të gjithë qytetarët fierakë duhet të mendojnë ndarjen e mbetjeve që në banesat e tyre.

Bashkia e Fierit ka nisur ditën e parë të shtatorit punën intensive për zbatimin e projektit “modeli i një qyteti të pastër”, i cili konsiston në largimin e mbetjeve urbane dhe inerte nga rrugët e qytetit.

Starti ka nisur nga institucioni i bashkisë me një takim konstruktiv mes zyrës së projektimeve dhe Ndërmarrjes së Gjelbërimit, që do të jenë aktorët kryesorë të zbatimit të këtij projekti, që pritet të lehtësojë qytetin nga papastërtitë dhe të shtojë kushtet për përpunimin e mbetjeve urbane në impiante, nga ku do të përfitohet energji.

“Fillimisht do të vendosen kontejnerë të ndarë nëpër blloqet e pallateve dhe rrugët e qytetit me qëllim ndarjen e mbetjeve në kategori: urbane dhe inerte, të përpunueshme apo jo, që në banesat e qytetarëve. Kjo fazë nuk mendohet se do të jetë shumë e suksesshme dhe për këtë kemi menduar dhe një tjetër fazë riciklimi në fushën e plehrave. Atje do të bëhet një ndarje, riciklim i mbetjeve në mënyrë mekanike (me dorë) nga punonjësit tanë”, ka thënë kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj.

Deri këtu mendohet që të mbyllet ky projekt, i cili ka një financim nga qeveria holandeze, por që mendohet të vazhdojë më pas me hapin më të madh të përpunimit të këtyre mbetjeve të riciklueshme.

Faza e parë e projektit është parashikuar se do të kushtojë 20 milionë lekë, ndërsa riciklimi i mbetjeve me dorë në fushën e plehrave do të kushtojë 12 milionë lekë.

Sipas përfaqësuesve të bashkisë, aktualisht është parashtruar infrastruktura për nisjen nga puna të zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm për qytetin.

Sipas tyre mësohet se janë porositur kontejnerët në Elbasan dhe pritet të vijnë nga dita në ditë, si dhe është betonuar sipërfaqja e nevojshme në fushën e plehrave ku do të bëhet riciklimi i mbeturinave.

Top Channel