Sarandë, salmonella, nga autobotet dhe akulli

01/09/2010 08:20

Sëmundja e Salmonelës, e njohur si tifo e zorrëve, tashmë e konfirmuar në Sarandë, ka ardhur nga autobotet, por dyshohet edhe për shkak të akullit të konsumuar në lokale.

Burimi i infeksionit nga akulli në lokale është hedhur si diskutim nga specialistët e ISHP-së, madje është referuar edhe në raportin e Institutit të Shëndetit Publik përgatitur për rastin e Sarandës.

Janë konfirmuar pesë rastet e para me Salmonelë, ndërkohë që nuk është bërë publike asnjë detaj tjetër. Të dyshuarit si të prekur nga kjo sëmundje janë mbi 500. Zyrtarisht dhe publikisht autoritetet nuk kanë deklaruar të dhëna për burimin e infeksionit.

Të gjitha strukturat që inspektojnë subjektet për mbrojtjen e konsumatorit shprehen se në treg nuk qarkullojnë produkte që janë burim infeksioni për Salmonelën. Një nga farmacistet e qytetit të Sarandës sqaroi: “Nuk na ka bërë vaki si këtë verë, na mbaruan të gjitha imodiumet, medikament ky që përdoret për luftimin e infeksionit në zorrë.

Sipas saj, zakonisht infeksione të tilla merren nga mikrobet në ujë, të cilat shkaktojnë edhe problemet me të cilën janë kontraktuar këtë verë shumica e qytetarëve të Sarandës, banorë apo pushues.

Nga autoritetet spitalore në Sarandë është përjashtuar prejardhja e infeksionit nga uji i pijshëm dhe është konfirmuar se nuk bëhet fjalë për një epidemi. Nga Zyra e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, dega Sarandë, u tha se nga kontrollet e kryera, nuk rezulton që ushqimi të ketë pasur probleme. Ismet Kërma thotë se situata e konsumit ushqimor këtë sezon ka qenë tërësisht nën kontroll dhe nuk ka paraqitur probleme për konsumatorin.

Ditët e fundit, drejtori i Shëndetit Publik në Sarandë, Jani Qirjaqi, bëri publike përfundimin se rastet me Salmonelë kanë ardhur nga përdorimi i ujit të marrë nga autobotet, të cilat, sipas tij, mbushen në burime të pakontrolluara. Por, edhe pas kësaj, ashtu si ditë më parë, nga Drejtoria e Higjienës Sarandë, përjashtohet uji si shkak i një viroze masive. “Nuk është kompetenca jonë penalizimi i autoboteve!” – shprehet drejtori Qirjaqi.

Autoritetet e spitalin “Petro Nako” të Sarandës kanë pranuar se në muajin gusht qendra spitalore ka pasur mbingarkesë të jashtëzakonshme të sëmurësh. Nuk është fshehur se javë pas jave një numër rekord të sëmurësh janë paraqitur në spital dhe kanë kërkuar ndihmë të specializuar, për shkak të komplikacioneve. Numri i të prekurve me shqetësime gastro-intestinale i raportuar zyrtarisht nga zyra e statistikës ishte 400 pacientë.

Por mendohet se edhe 400 persona të tjerë kanë kaluar të njëjtat shqetësime, në forma më të lehta, e për këtë shkak nuk janë drejtuar në spitale, por kanë menduar të trajtohen vetë, duke blerë ilaçe në farmaci. Duke nisur nga muaji korrik deri në fund të muajit gusht, virozat e stinës dhe personat e prekur nga infeksioni i zorrëve vazhdonin të shtroheshin çdo ditë në spitalin e Sarandës.

Mjekët patologë, infeksionistë e higjienistë janë orvatur ta kategorizojnë situatën, duke e quajtur një virozë, kryesisht me origjinë stinore. “Nuk mund t’u vija tjetër ‘emër’ simptomave të enterovirozës dhe instoksikacioneve alimentare që konstatonim”, tha mjeku infeksionist Aleks Prifti, ndërkohë që kampionet e analizave ishin përcjellë në institucionet më të specializuara në Tiranë. Ndërkaq, situata e pazakontë në spitalin e Sarandës është bërë pothuajse e zakonshme”. Në 3-4 ditë u regjistruan 300-400 raste të ekzaminuar. Të sëmurët e paraqitur në spital kanë qenë me organizëm të intoksikuar në konstatimin e parë, e shoqëruar me të vjella, temperaturë dhe diarre. U vlerësua edhe fakti që më të prekur kanë qenë moshat e reja, deri në 40 vjeç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA