
Konstitucionalisti i njohur, Njazi Jaho deklaron se prokuroria duhet të nisë hetimet pas akuzave të shumta të bëra mes partive politike.
Në një intervistë për VOA, Jaho është shprehur se edhe vetë partitë, nëse kanë prova për aferat për të cilat pretendojnë, duhet t’i dorëzojnë në prokurori.
“Nuk ka rëndësi teknika që përdorin partitë politike. Të insistohet që cdo person, apo cdo institucion që ka prova për kryerjen e krimit, ta dënoncojë atë. Nëse s’e denoncon, atëherë ai ka përgjegjësi”, ka pohuar Jaho.
Sipas tij, në raste të tilla, prokuroria mund të hapë hetime me nismën e saj, pa qenë nevoja që dikush të bëjë denoncimin në këtë institucion.
“Prokuroria mund të hapë hetime me nismën e saj nëse publikohen gjithë këto dokumente. Kur prokurori konstaton dicka të rëndësishme, prokurorin nuk e ndalon askush të fillojë me nismën e tij hetimet”, ka nënvizuar Jaho.
Ai ka shtuar më tej se nëse objekt i hetimit është një person me imunitet, atëherë prokurori mund t’u drejtohet organeve kompetente që mund të shqyrtojnë heqjen e këtij statusi.
Top Channel