Udhëzimi për regjistrimin e jo më shumë se 35 nxënësve në klasa, në arsimin parauniversitar do të respektohet nga të gjitha shkollat.
Kanë mbetur edhe katër ditë afat për regjistrimin e nxënësve, ndërkohë që nuk është dërguar një udhëzim i dytë në drejtoritë e institucioneve të arsimit të mesëm për mënyrën sesi do të menaxhohen shkollat me më shumë kërkesa, që rezultojnë të jenë sidomos shkollat rreth e qark qendrave.
Edhe në fundjavë, sportelet e sekretarive do të qëndrojnë të hapura nga e premtja në të diel. Pas mbylljes së regjistrimeve deri në datën 5 shtator, të gjitha shkollat do të merren me menaxhimin e klasave dhe nxënësve, duke i sistemuar nxënësit sipas udhëzimit të drejtorisë arsimore, nga 35 nxënës për grup. Por deri tani në gjimnazet ku ka pasur fluks kërkesash, rezultojnë të jenë bërë gati 18 klasa paralele.
“Do të zbatohet udhëzimi për 35 nxënës në klasa, por nga ana tjetër duhet theksuar se të gjitha paralelet që do të formohen duke ruajtur numrin e kërkuar, do të jenë të ndarë ndërmjet turneve. Ashtu siç është bërë dhe vitet e kaluara, shkollat do të punojnë në dy turne, paradite e pasdite, pasi e kanë thuajse të pamundur të zhvillojnë mësim me të gjitha grupet e formuara”, sqaruan mësuesit përgjegjës për procesin e regjistrimit.
Sipas mësuesve, menjëherë pas mbylljes së regjistrimeve, në bazë të numrit të regjistrimeve do të renditen edhe klasat paralele. Nëse pas nisjes së vitit shkollor do të ketë sistemime, prurje nxënësish bashkë me përsëritësit e vitit do të ketë edhe rishqyrtim nëse do të ketë grupe me më shumë nxënës, por edhe nëse do të ketë bashkime apo alterime të reja në klasat e formuara.
Shpeshherë në disa nga gjimnazet e Tiranës, ndarja e nxënësve bëhet nëpërmjet notës mesatare, duke nisur nga ata që kanë mesatare më të lartë, klasa me nxënës mesatarë dhe ato me nxënës që kanë arritur rezultate të ulëta gjatë viteve të fundit.
Shkolla të tjera kanë zbatuar sistemin e përzierjeve të nxënësve nga mesatarja më e ulët tek ajo më e lartë, duke argumentuar se kjo sjell edhe përmirësim mes të mirëve dhe më të dobëtëve, pasi rrit konkurrencën mes nxënësve.
Mësuesit janë paraqitur në shkollë që këtë muaj, edhe pse zyrtarisht nuk ka nisur viti shkollor. Pavarësisht kësaj, ndryshimet e emërimeve, largimeve por edhe “këmbimeve” të drejtuesve në shkolla kanë nisur me mbylljen e stinës së verës. Sipas mësuesve, posti i drejtorit apo nëndrejtorit të shkollës në bazë edhe të marrëveshjes LSI-PD për vendet në administratë është konsideruar si pjesë e këtij pakti.
Ndërsa kanë nisur ndryshimet e para, pritet që deri në fund të këtij muaji, të jenë mbyllur përfundimisht të gjitha ndryshimet në nivelet drejtuese. Duke nisur nga numri i klasave por edhe intervalet kur do të zhvillohet mësimi, nevoja për shtim të stafeve mësimore është e pranishme dhe vërehet lehtë edhe në këto ditë ku regjistrimet në shkollat e arsimit parauniversitar nuk janë mbyllur.
Top Channel