“Zyber Hallulli”, ekspozitë me fotot e fëmijëve

01/09/2010 08:10

Dy muaj pas kthimit nga pushimet verore, në shtëpinë “Zyber Hallulli” u organizua një ekspozitë e vogël me fotografitë e fëmijëve.

Shumëkush mund të mendojë se ata janë ndryshe, por në të vërtetë ata janë fëmijë të mrekullueshëm dhe me shumë fantazi. Edhe pse larg familjeve të tyre, fëmijët që ndodhen në këtë institucion janë të aftë të dallojnë talentet dhe aftësitë e tyre që në moshë të vogël.

Madje ata i kanë mjaft të qarta qëllimet apo ëndrrat që shpresojnë të realizojnë në të ardhmen. Disa prej tyre preferojnë muzikën, të tjerë kërcimin, por ka edhe nga ata që parapëlqejnë fotografinë. Këta të fundit, edhe pse në pamundësi për të zotëruar një aparat fotografik personal, përpiqen që me lejen e drejtoreshës së kësaj shtëpie, Drita Mandreja, të pajisen me një aparat për të fotografuar pamje nga më të ndryshmet. Fotografitë e prezantuara në këtë ekspozitë ishin sa të bukura aq edhe rrëqethëse.

Secili prej fëmijëve kishte fotografuar pamje që, sipas tyre, i kishin krijuar përshtypje të veçanta. Pjesa më e madhe e tyre ishin pamje nga lagjet e ndryshme të Tiranës, poza të fëmijëve gjatë ditës, por edhe mbishkrime në rërën e lagur të detit.

Kjo e fundit ishte pjesa më prekëse, sepse shkrimet u dedikoheshin personave të tyre më të dashur, por sidomos nënave. Ajo që të bënte përshtypje më së shumti tek këto fotografi ishte njëra, ku shkruhej “Të dua Mami”, fakt që vë në dukje ndjeshmërinë, por edhe frymën e dashurisë dhe respektit me të cilën edukohen, edhe pse jetojnë në një institucion shtetëror, jo në familjen e tyre, njësoj si bashkëmoshatarët e tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA