Londër, Kumbaro mbetet në burg

31/08/2010 20:45

Ilir Kumbaro edhe në seancën e sotëme gjyqësore të ekstradimit ka këmbëngulur përballë një gjykatësi britanik, se ai është Shaqa Shatri, një qytetar shqiptar nga Prizreni i Kosovës. (UPDATE)

Që në fillim të seancës gjyqësore, që zgjati më shumë se 40 minuta, kur ish-shefit të drejtorisë së parë të SHIK-ut për Tiranën iu kerkua t’i tregonte gjykatës emrin, përgjigjia ishte e njëjtë.

“Unë jam Shaqa Shatri”, u përgjigj Kumbaro, ndaj të cilit sipas fletë-arrestit ndërkombëtar rëndojnë 6 akuza, ku ndër to më e rënda është ajo për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në tetor të vitit 1995.

Mary Westcott, përfaqësuese e shtetit shqiptar, i tha gjykatësit Anthony Evans se ndaj zotit Kumbaro rëndëojnë disa akuza të rënda dhe tejet serioze.

Sipas saj, nuk ka as më të voglin dyshim se personi në gjykatë është pikërisht ai që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Ndërsa John Jones, avokati zotit Kumbaro, i ka bërë një kronologji të gjitha zhvillimeve të deritanishme në këtë proces ekstradimi, duke kërkuar edhe liri me kusht për klientin e tij.

“Për më shumë se 15 muaj vitin e shkuar zoti Kumbaro qëndroi në burg për faj të drejtësisë shqiptare, e cila vendosi se fletë-arrestit të dërguar në Angli i kishin kaluar afatet. Zoti Kumbaro ishte në dijeni të një mandati të ri arrestimi lëshuar 8 muaj parë. Ai nuk bëri asnjë përpjekje për t’iu fshehur drejtësisë”, ka argumentuar avokati Jones kërkesën për liri me kusht.

Djali i Ilir Kumbaros fillimisht ishte i gatshëm të vendoste një garanci pasurore prej 5 mijë stërlinash, por kur gjykatësi Evans kërkoi më shumë para, ai e rriti këtë shumë në 10 mijë stërlina.

Përfaqësuesja e shtetit shqiptar e kundërshtoi aprovimin e lirisë me kusht të dhënë nga gjykatësi Anthony Evans.

Ankimimi i saj do të shqyrtohet gjatë 48 orëve të ardhëshme nga Gjykata e Apelit në Londër. Ndërkohë, edhe për 48 orët në vazhdim Ilir Kumbaro do të vazhdojë të qëndrojë në burgun Wandsworth.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA