Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se interesat e kredive pritet të ulen gjatë muajve të ardhshëm.
“Ulja e normës bazë të interesit në muajin korrik është përcjellë në tregun financiar në segmentin afatshkurtër të tij, duke sjellë uljen e kostos së huamarrjes të bankave, si dhe norma më të ulëta interesi në tregun ndërbankar dhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë. Në muajt në vijim, lëvizja e politikës monetare duhet të transmetohet dhe në uljen e kostos së huamarrjes së sektorit privat”, ka deklaruar Fullani.
Guvernatori u ndal edhe në pritshmëritë për inflacionin, që sipas tij do të jetë brenda kufijve të bankës.
Madje, Fullani shpjegoi dhe arsyet se përse rritja rekord e cmimeve të disa produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare nuk do të ketë ndikime të forta në tregun e brendshëm.
“Si rrjedhojë e gjallërimit të kërkesës, çmimet e lëndëve të para kanë vazhduar të shfaqin prirje rritëse gjatë muajve të fundit. Veçanërisht, çmimi i grurit në tregjet botërore shënoi një rritje të fortë në muajin gusht, pas luhatjes së raporteve të kërkesës e ofertës dhe kufizimit të eksporteve nga një prej vendeve kryesore prodhuese. Përcjellja e tyre në inflacionin total në Shqipëri pritet të jetë e dobët, por ajo do të mbetet objekt monitorimi në muajt në vazhdim”, ka nënvizuar Fullani.
Guvernatori ka ripërsëritur kërkesën e bankës drejtuar qeverisë për të mbajtur deficitin buxhetor në kontroll, si kusht për ruajtjen e ekuilibrave të ekonomisë.
Top Channel