Spitali, i ndotur me plehra

30/08/2010 08:15

Rreziku i përhapjes së epidemive është prezent në institucionin ku luftohen sëmundjet.

Bëhet fjalë për spitalin e Fierit, që paraqet kushte skandaloze ndotjeje. Ndotja shkaktohet nga mbetjet spitalore dhe ato urbane. Spitali rajonal në Fier është bërë objekt ndëshkimi nga autoritetet e Higjienës, të cilat pas kontrolleve të vazhdueshme në këtë spital, kanë marrë vendimin se institucioni nuk i përmbush kushtet higjieno-sanitare.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga përgjegjësi i Inspektorit të Higjienës në Fier, Nuredin Kallashi, i cili sqaroi se ndëshkimi për spitalin e Fierit ka ardhur pas një kohe të gjatë pritjeje për ndryshimin e kushteve të tij. Mbetjet spitalore të hedhura pa kriter si dhe mbetjet e konsumit nga ana e pacientëve, kanë ndotur spitalin rajonal të Fierit. Përgjegjësi i Inspektoratit të Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Nuredin Kallashi, ka deklaruar se ndotja në spitalin e Fierit është në kushte alarmante dhe po bëhet një periudhë e gjatë kohe që ai paraqet një situatë të tillë.

Sipas Kallashit, këto mbetje po vijojnë të hidhen në mjedise të hapura të spitalit. Këtë proces, përgjegjësi i Inspektoratit të Higjienës e cilëson një veprim në kundërshtim me ligjin, por edhe një rrezik të madh për shëndetin e pacientëve, bluzave të bardha dhe të komunitetit që jeton pranë, por edhe të atyre që frekuentojnë mjediset spitalore.

“Nga kontrollet e kryera në mjediset e brendshme dhe të jashtme të spitalit kemi parë vende me plehra. Janë kryesisht ambalazhe ilaçesh. Por, duhet pranuar që ka edhe mbeturina të ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale që hidhen në mjedis të hapur. E së bashku me mbetjet urbane, këto vende mbledhjesh mbeturinash kthehen në qendra ndotjeje”, është shprehur Nuredin Kallashi.
Sipas Kallashit mësohet se spitali ka një kontratë që mbetjet duhet t’i heqë ndërmarrja komunale.

“Jemi në dijeni se spitali ka një kontratë me Ndërmarrjen Komunale, e cila duhet të largojë mbeturinat. Po ashtu spitali paguan ndërmarrjen për pastrimin e mjediseve spitalore. Me sa duket, kjo kontratë nuk shikohet nëse respektohet apo jo”, thekson Kallashi.

Duke parë situatën e ndotjes që paraqet spitali si dhe gjendjen e pandryshuar për një kohë të gjatë, grupet e kontrollit në Inspektoratin e Higjienës kanë mbajtur dy ditë më parë një proces verbal për spitalin rajonal të Fierit. “Pritet që nga momenti në moment të merret masa administrative për spitalin e Fierit, masë që do të pasojë procesverbalin e prerë tashmë”, ka sqaruar kreu i Higjienës.

Ajo që kërkon Drejtoria e Higjienës nga spitali lidhet me plotësimin e kushteve, për sa i përket kritereve të higjienës dhe pastërtisë. Këtë vit, Inspektorati i Higjienës me kontrollet e tij ka ndëshkuar për mosplotësim kriteresh jo vetëm bizneset por edhe institucionet shtetërore.

Top Channel