PS: Bregu, pronare në energjitikë

30/08/2010 19:40

Partia Socialiste ka deklaruar gjatë një konference për shtyp pasditen e së hënës se, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ka manipuluar të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, duke  i ndërruar pas akuzave të bëra nga PS-ja, statusin e kompanisë që zotërohet nga bashkëshorti i saj.

Sipas PS-së, statusi aktiv i kompanisë që zotërohet nga bashkëshorti i saj është ndërruar me statusin i pezulluar vetëm, në orët e fundit.

“Në një dokument të marrë nga QKR-ja jo më larg se dy ditë më parë Namik Ajazi konfiguron ortak dhe me statusin aktiv. Me ndërhyrjen e Bregut sot QKR-ja ka zbatuar urdhërin e ministres. Vetëm 50 minuta më pas zbatohet urdhëri i ministres duke e shpallur kompaninë me status të pezulluar”, është shprehur Xhaçka.

Më herët ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu përmes një deklarate për mediat pranoi se bashkëshorti i saj është pjesë e një kompanie “Mia InTernational”, por sqaroi se kjo kompani është inaktive me status pezull në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, e cila nuk ka funksionuar asnjë ditë, as nuk ka kryer transaksione bankare apo nënshkruar kontrata të asnjë lloji, por sipas ministres është regjistruar me qëllimin e mirë të një grupi investitorësh italianë për të pastruar mbeturinat nëpër qytete, përfshi edhe Tiranën.

Ministrja e Integrimit deklaroi se, tre muaj pas regjistrimit të kompanisë, në pamundësi për të ndjekur këtë aktivitet, bashkëshorti paraqiti letrat e dorëheqjes.

Ministrja Bregu u shpreh se statusi “pezulluar” i kompanisë, mund të vërtetohet lehtësisht në faqen e internetit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA