Më shumë kuota në Ekonomik dhe Informatikë

30/08/2010 08:10

Këtë vit, numrin më të lartë të kuotave të pranimeve e kanë degët që konsiderohen më të preferuarat nga maturantët, si ato me bazë profilin ekonomik apo informatikën.

Struktura e shpërndarjes së tyre këtë vit ka ndryshuar. Ato më pak të preferuarat kanë një numër kuotash më të ulët krahasuar me vitet e mëparshme.

Duke nisur nga kërkesat e maturantëve vitet e kaluara, por duke parë edhe mundësinë e punësimit, është menduar që propozimi i kuotave për këtë vit të jetë më i lartë në degët më të preferuara dhe i pandryshuar ose në nivele më të ulëta për degët më pak të pëlqyera.

Sipas zv.ministrit të Arsimit, Halit Shamata, u pa e arsyeshme nga kërkesat e maturantëve për një shtim të kuotave në degë të veçanta. “Kuotat këtë vit janë rreth 23500, pra 10 për qind më shumë se vjet. Struktura e kuotave këtë vit është disi më e ndryshme, ka risi, sepse duke u nisur nga kërkesat e nxënësve, ne kemi shtuar kuota në ato degë ku ka pasur më shumë interesa, dhe janë zvogëluar në ato degë ku nuk kishte interes. Struktura e re ka parasysh se kemi më shumë kuota në degët e ekonomisë, ku ka më shumë kërkesa, menaxhimit, informatikës dhe në shkencat teknike”, tha zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata.

Sipas tij, shtimi i kuotave në këto degë lidhet dhe me kërkesat e tregut të punës. “Ka pak degë të tilla, të cilat gjatë viteve kemi parë se nuk janë preferuar apo nuk ka treg pune për to dhe mendoj që kjo do të krijojë mundësinë që çështja e regjistrimit të përfundojë më shpejt dhe të mos mbeten kuota të pazëna”, sqaroi numri dy i dikasterit të arsimit.

Në datën 15 shtator, Agjencia e Pranimit të Rezultateve në institucionet e arsimit të lartë do të shpallë listat e fituesve për në universitete dhe më pas do të nisë procesi i regjistrimit në to, i cili pritet të mbyllet në fillim të vitit të ri akademik. Sakaq, sipas vendimit të miratuar nga qeveria për vitin e ri akademik, dega e Gjuhë-Letërsisë do të ketë 550 kuota, Anglishtja 680 kuota, 790 kuota në degën e Drejtësisë, 710 në Teknologjinë e Informacionit, 980 në Financë dhe Kontabilitet.

Ashtu siç ka theksuar në mbledhjen e qeverisë edhe Kryeministri, ka një rritje të kuotave në degën e Anglishtes dhe Teknologjisë së Informacionit. Po ashtu, më shumë kuota këtë vit janë propozuar në degën e Financë-Kontabilitetit, në Drejtësi, Gjuhë-Letërsi, por edhe në degën e Fizikës, me plot 300 pranime. 190 të drejta studimi janë shpërndarë në degën e Historisë, Gjeografisë dhe Histori-Gjeografisë.

Top Channel