Librat, në shkolla deri më 5 shtator

30/08/2010 08:00

Sekretaritë e shkollave në arsimin parauniversitar kanë qëndruar të hapura edhe në fundjavë. Kështu do të jetë edhe javën e ardhshme.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është dërguar në çdo institucion arsimor. Por, sipas udhëzimit, librat do të shiten pranë shkollave deri në datën 5 shtator. Ndërkohë që pas kësaj data, librat shkollorë do të mund të blihen në libraritë shkollore.

Një pjesë e konsiderueshme e librave kanë mbërritur në të gjitha shkollat. Megjithatë, ka disa shtëpi botuese të cilat ende nuk e kanë dërguar të gjithë kontingjentin e nevojshëm. Në lidhje me çmimet mendohet se këtë vit nuk do të ketë abuzim, sepse çdo libër ka çmimin e përcaktuar mbrapa kopertinës. Sipas udhëzimit, deri në datën 5 shtator librat shiten në shkollë. Nëse brenda datës 15 shtator nuk i kanë dorëzuar të gjitha tekstet, atëherë do të merren dhe masa.

Ndërkohë, prindërit mund t’i tërheqin tekstet deri në datën 5 shtator në shkollat përkatëse. Masa e rimbursimit për këtë vit do të jetë 100 për qind për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 50 për qind për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë, ndërsa për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas.

Top Channel