
Mbi 5000 shtetas shqiptarë janë larguar prej pikëkalimit të Kakavijes vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Sipas autoriteteve të policisë kufitare, situata paraqitet normale ndërsa të dy palët po punojnë me numër maksimal sportelesh dhe personeli. Qytetarët nga ana tjetër thonë se ju është dashur të presin deri në 1 orë në radhë për përpunimin e dokumentacionit, kjo për shkak të fluksit të njëkohshëm në dalje.
Të dhënat zyrate flasin për më shumë se 400.000 shtetas shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në Shqipëri vetëm gjatë muajve të verës. Ndërkaq mendohet që vetëm një e treta e tyre të jetë larguar dhe pjesa e mbetur pritet të largohet deri në fund të muajit gusht.
Duke parashikuar një situatë të pritshme dyndjeje për të dalë nga Shqipëria, pikat kufitare me Greqinë kanë dyfishuar masat. Procedurat këtë vit duken më të lehtësuara krahasuar me vitet e kaluar kur radhët në këtë periudhë rezultonin kilometrike.
Top Channel