Gjatë forumit të 10-të të Salzburgut, ministri i Brendshëm Lulzim Basha mori garanci nga homologët e tij europianë se vendimi për propozimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave do të merret në një nga takimet e kësaj vjeshte.
“Kam patur bisedime dypalëshe me disa prej kolegëve të Bashkimit Europian, të cilët më kanë siguruar se presin finalizimin e hapave teknikë nga Komisioni Europian dhe që shpresojnë që në mbledhjet e tyre të ardhshme në tetor apo nëntor, dhe këto mbledhje i ndajnë tre javë nga njëra- tjetra, të finalizojnë vendimarrjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, është shprehur Basha.
Ndërkohë, ministri Basha tha se iniciativa e Shqipërisë për realizimin e Shengenit ballkanik ka gjetur mbështetjen e të gjithë ministrave të brendshëm të vendeve të rajonit.
Produkti final i kësaj nisme do të jetë lëvizja e lirë e çdo qytetari të vendeve të Ballkanit Perëndimor vetëm në disponim të një karte identiteti apo të një letërnjoftimi në të pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë.
Në forumin e 10-të të Salzburgut, ministrja e Brendshme austriake, Maria Fekter, vlerësoi se Shqipëria mund të merret si shembull nga vendet e tjera të rajonit për përdorimin e teknologjisë së informacionit në menaxhimin e integruar të kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Top Channel