Sërish pranga për Ilir Kumbaron

25/08/2010 19:30

Arrestohet për të dytën herë në Londër Ilir Kumbaro në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata shqiptare e Krimeve të Rënda.

Top-Channel ekskluzivisht ka mësuar të gjitha detajet e operacionit të “Scotland Yard”  që bëri të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare.

Gjatë javës së fundit ish-drejtori drejtorisë së parë të SHIK-ut për Tiranën është mbajtur nën survejim nga skuadra e ekstradimeve në “Scotland Yard”.

Ka rezultuar se ai nuk banonte më në banesën e tij në lagjen Fulham, por në shtëpinë e djalit, Endrit Kumbaros, në jug të Londrës ku ka ndodhur edhe arrestimi.

Sikurse në arrestimin e parë Ilir Kumbaro ka deklaruar se ai është Shaqa Shatri, një shtetas shqiptar nga Prizreni Kosovës.

Kumbaro ka dalë përpara gjykatës së ekstradimve në Londër ku i është komunikuar përmbajtja e fletë arrestit lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Sipas fletë arrestit shtetasi shqiptar, Ilir Nazmi Kumbaro kërkohet të ekstradohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zdukjen e Remzi Hoxhës, torturimin e Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt përfshi shpërdorim detyre.

Një gjykatës britanik ka vendosur masën e arrestit me burg deri më 31 Gusht 2010. Në këtë datë avokatët mbrojtës do të kenë mundësi të aplikojnë për ndjekjen e proçedurave nga klienti i tyre në gjendje të lirë nëse familjarët e zotit Kumbaro do të vendosin një garanci pasurore.

Ilir Kumbaro për herë të parë do të provonte ftohtësinë e prangave britanike mengjesin e datës 10 Shtator 2008. Pas 13  seancash gjyqësore nga data e arrestimit më 24 Mars 2009 gjykatësi Haëard Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Kumbaron.

Avokatët e tij e apeluan këtë vendim, ndërsa Gjykata e Apelit në Londër më 17 Dhjetor 2009 pushoi çështjen e ekstradimit pasi Gjykata e Lartë në Tiranë me një vendim të sajin e quajti mandatin e arrestit të pavlefshëm pas i kishte kaluar afati.

Megjithatë përpjekjet e prokurorisë shqiptare për të ekstraduar Ilir Kumbaron vazhduan duke i dërguar Ministrisë së Brendshme britanike “Home Office” një mandat të ri arresti lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Pikërisht ky mandat arresti është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme duke rikthyer në qelitë e burgut “Wansworth” ish-agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro.

Nëse gjithçka do të shkojë sipas proçedurave të parapara nga ligji anglez dhe pala shqiptare do të jetë korrekte në dërgimin e dokumentacionit përkatës gjykatës angleze, atëherë ekstradimi Ilir Kumbaros kësaj here është më afër se kurrë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta