Një polic i patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Fierit ka rënë pre e dhunës së një 35-vjeçari.
Agresori është nipi i kreut të Partisë Demokratike, dega Fier, Ferdinand Murati. Fillimisht ai e ka kërcënuar dhe më pas nuk ka ngurruar dhe ta qëllojë me grushte dhe mjete të forta efektivin e policisë së shtetit.
Ngjarja është shënuar pasditen e së hënës në një nga rrugët kryesore të qytetit të Fierit, pranë vendit të njohur me emrin “Bulevardi i Aziles”. Polici i rrahur është Astrit Koçiu, lindur dhe banues në Levan, fshat rreth 6 kilometra larg Fierit.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit mësohet se Koçiu ka qenë në krye të detyrës kur është sulmuar nga 35-vjeçari. Të njëjtat burime shprehen se efektivi Astrit Koçiu ka qenë në automjetin e policisë së bashku me disa kolegë. Patrulla ishte duke shërbyer në rrugët e qytetit, kur është njoftuar nga persona të rastësishëm se pranë “Aziles”, disa persona janë përfshirë në debat.
Patrulla ka rendur në drejtim të vendit të njoftuar dhe është përballur me sherrin. Ndërsa Astrit Koçiu ka zbritur nga makina e policisë dhe ka kërkuar shkaqet e ngjarjes, ka nisur të fyhet prej njërit nga protagonistët e sherrit, Besnik Murati, 35 vjeç. Pas fjalëve, ai ia ka lënë vendin grushteve dhe shqelmave mbi uniformën blu. Burimet policore që janë marrë me hetimin e ngjarjes pohojnë
se Besnik Murati ka përdorur edhe mjete të forta si gurë.
“Ai ka nxjerrë edhe një thikë nga makina e tij dhe me të i është drejtuar policit Koçiu që, edhe pse i gjakosur në fytyrë e trup, vijonte të kërkonte shoqërimin e tij për në mjediset e komisariatit të policisë”, kanë thënë për gazetën burimet policore. Më pas, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që polici Astrit Koçiu është çuar në spitalin e Fierit nga kolegët e tij.
Ai ka marrë mjekimin e duhur pranë repartit të mikrokirurgjisë në katin e parë të spitalit, ku është shënuar edhe emri si i paraqitur me hematoma të rënda në fytyrë dhe shpatull. Më pas, Astrit Koçiu është marrë në pyetje nga kolegët e tij, ku mësohet se ka kryer denoncimin përkatës. Ndërsa policia, brenda pak minutash, ka bërë arrestimin e Besnik Muratit, i cili ishte duke qarkulluar me automjetin e tij nëpër qytet. Pranë spitalit të Fierit, ku ka marrë mjekimin polici i plagosur, kanë ardhur jo vetëm kolegë dhe të njohur të tij, por edhe të afërt të autorit, të cilët mësohet se janë përpjekur që polici të mos kryente denoncimin.
Pavarësisht negociatave për moskryerje denoncimi, policia ka nisur procedimin penal për 35- vjeçarin Besnik Murati, banues në lagjen “Kastriot”, në Fier, i cili punon dhe si shofer personal i xhaxhait të tij, kreu i PD-së së Fierit. Të pezmatuar për këtë ngjarje, mjaft kolegë të policit të plagosur janë shprehur se ngjarja do të zbutet për nga përmasat, për vetë faktin e “pushtetit” që ka autori. Kujtojmë se Besnik Murati, një vit më parë, u bë objekt i kronikave, pasi u plagos me pistoletë, ndërsa zbriste nga makina e tij për të hyrë në shtëpi. Policia shprehet se ngjarja e së hënës ka edhe autor të tjerë, por hetimet e mëtejshme do të zbardhin rrethanat e saj si dhe ndonjë bashkautor të mundshëm.
Top Channel