Vidhen 75 milionë euro energji elektrike

20/08/2010 09:05

Duket se pamundësia ekonomike dhe mentaliteti për të mos paguar janë më të mëdha se kapacitetet që ofron gjigandi çek, CEZ, i cili, prej një viti, menaxhon ndërmarrjen (OSSH) që shpërndan energjinë elektrike në vend.

Vetëm për 6 muajt e parë të vitit, kanë humbur në rrjetin elektrik rreth 1 miliardë e 285 milionë kilovat energji. Energjia që hidhet në rrjet, jo e gjitha paguhet, pasi një pjesë humbet rrugës (firo nga linjat), kurse tjetra (pjesa dërrmuese) vidhet ose nuk paguhet. E konvertuar me çmimin aktual mesatar të energjisë elektrike dhe duke zbritur normën e lejuar të humbjes (10 për qind), rezulton se energjia e vjedhur ka kushtuar rreth 75 milionë euro.

Në këto kushte, OSSH e ka edhe më të justifikuar kërkesën për të rritur çmimin e energjisë elektrike, që do t’i mundësonte më shumë të ardhura për të realizuar investimet në rrjet dhe për të ulur humbjet.

Të dhënat rreth nivelit të humbjeve të energjisë elektrike dhe të bilancit energjetik në tërësi u publikuan dje nga Instituti i Statistikave (INSTAT), sipas të cilit “firot” në rrjet janë rritur me 3.7 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë 2010 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Sipas INSTAT-it, humbjet përbëjnë 27.2 për qind të sasisë së energjisë për përdorim.

OSSH ka nisur prej kohësh aksionet për të sensibilizuar konsumatorët që të paguajnë energjinë elektrike, ku nuk kanë munguar edhe ndërhyrjet me forcë për të ndërprerë linjat e paligjshme dhe të dyfishta elektrike. Në listën e debitorëve të OSSH nuk mungojnë as institucionet shtetërore, si spitalet, ujësjellësit, komisariatet etj., të cilat janë paralajmëruar disa herë për ndërprerje të energjisë, në rast se nuk paguajnë faturat e energjisë.

Në tërësi, prodhimi i energjisë elektrike në vend ka pësuar rritje të konsiderueshme në pjesën e parë të vitit, si pasojë e reshjeve të mëdha në janar-shkurt, që çuan në superprodhim të hidrocentraleve. “Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 52.1 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2009. Energjia elektrike e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2010 është 4 milionë e 554 mijë megavat dhe zë 96.2 për qind të sasisë gjithsej të energjisë”, tregon INSTAT.

Prodhimi i hidrocentraleve u rrit me rreth 52 për qind, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të energjisë elektrike. Ky prodhim këtë gjashtëmujor, zuri 98 për qind të prodhimit gjithsej në vend, kurse rritje të ndjeshme prej 53.9 përqindësh ka energjia e prodhuar nga impiantet private me koncesion krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. TEC-et në gjashtëmujorin e parë 2010 nuk kanë prodhuar energji elektrike. Energjia elektrike e përftuar nga të gjitha burimet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 u rrit me 26.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2009.

Rritja e prodhimit energjetik ka sjellë natyrshëm edhe uljen e importeve, madje ka shtuar nivelin e eksporteve. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike është ulur me 76 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Sasia e importuar (përfshirë këmbimet), është 177 mijë megavat. Kjo sasi përbën 3.7 për qind të sasisë të energjisë elektrike të përftuar
gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2010 nga 19.8 për qind që përbënte në pjesën e parë të vitit 2009. Deri në fund të muajit qershor, eksportet regjistronin nivelin e rreth 700 mijë megavateve, me një rritje prej gati 100 për qind nga viti i kaluar (gjithnjë referuar fundit të qershorit).

Me prodhim të lartë energjie, konsumatorët kanë pasur mundësi akoma edhe më të madhe konsumi, i cili, në pjesën e parë të vitit pësoi rritje me 6 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2009. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 2 milionë e 198 mijë megavat dhe përbën 46 për qind të sasisë gjithsej të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur me 2.6 për qind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Ky sektor ka konsumuar 56.8 për qind të sasisë së përdorur nga konsumatorët gjithsej. Energjia elektrike e konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur me 11.9 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Top Channel